“Civilna Zastita” pengon shqiptarët të kthehen në shtëpi të tyre

E publikuar: 29/05/2015 12:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Strukturat paralele serbe të sigurisë në veri të Kosovës nuk e kanë ndërmend të shpërbëhen. Sot, një grup i tillë prej disa personave është parë në veri të vendit duke e penguar që të kthehet në shtëpinë e tij një qytetarë të Kosovës.

Alush Alushi, është pronari i një shtëpie në veri të Mitrovicës, i cili me urdhëresë të gjykatës ka fituar të drejtën të kthehet në shtëpi të tij.

Burime të KosovaPress-it bëjnë me dije se shtëpia e Alushit është e uzurpuar nga Danillo Illiq, qytetarë serb i cili njihet për krim të organizuar dhe kontrabandim.

Illiq, si uzurpator nuk ka dashur të ja liroj shtëpinë Alushit, saqë këtij të fundit ju ka dashur edhe ndihma e policisë.

Situata nuk përmirësohej as me praninë e Policisë së Kosovës, përderisa në vendin e ngjarjes u panë edhe pjesëtarë të “Civilna Zastita”.

Këta madje dolën më të fortë se Policia e Kosovës. Të njëjta burime, bëjnë me dije se Policia e Kosovës u detyrua të tërhiqet dhe kjo çështje të mbetet për një afat tjetër.

Ngjarjen për KosovaPress e ka konfirmuar edhe Besim Hoti, zv/drejtor i Policisë së Kosovës për raj onin e veriut, por ky i fundit nuk e ka konfirmuar se në ngjarje ka pasur pjesëtarë të “Civilna Zastita”.

Hoti, tha për KosovaPress, se policia e Kosovës është larguar, duke mos dashur të tensionojë situatën.

“Janë mbledhur një mas e madhe e njerëzve dhe për shkak të tensionimit të situatës nuk kemi reaguar. Është arritur një marrëveshje ndërmjet gjykatësit dhe drejtorit të policisë që ky ekzekutim i gjykatës që realizohet në një rast tjetër”, ka thënë Hoti.