City kualifikohet në raundin tjetër, Muriqi e mban portën të paprekur ndaj Oxfordit

E publikuar: 25/09/2018 22:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ashtu siç pritej, Manchester City është kualifikuar në raundin e katërt të Kupës EFL (të njohur edhe si Carabao Cup).

Skuadra e Pep Guardiolas fitoi me rezultat prej 3-0 si mysafir i Oxford United për të vazhduar tutje në këtë garë.

Rezultati në këtë sfidë u zhbllokua që në pjesën e parë. Pas një topi në zonë, Gabriel Jesus kërceu për të shënuar me kokë (36′).

Skuadra mysafire i pati edhe disa raste të tjera shënimi në gjysmën e dytë përmes Jesus e Phil Foden, ndërsa goli i dytë u shënua në minutën e 79-të.

Riyad Mahrez pranoi një top nga Foden, e kontrolloi mirë dhe me një goditje të pandalshme e mposhti portierin kundërshtar.

Mysafirët e shënuan edhe golin e tretë në minutat shtesë përmes Phil Foden (90’+2), i cili e meritoi një gol në këtë ndeshje.

Në portën e Cityt në këtë ndeshje startoi përfaqësuesi i Kosovës, Arijanet Muriqi, i cili arriti ta mbante të paprekur portën e tij.

Kujtojmë që Manchester City është kampion në fuqi, pasi në finalen e edicionit të kaluar e mposhti Arsenalin (3-0) për ta fituar trofeun e pestë të kësaj kupe. /Telegrafi/