Çitaku në OKB: Kosova kurrë nuk do të negociojë për shtetësinë e saj

E publikuar: 07/02/2019 23:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, gjatë fjalimit të saj në seancën e KS të OKB-së, ia përkujtuar shefit të diplomacisë së Serbisë Ivica Daçiq represionin serb ndaj popullit të Kosovës, duke larguar një milion shqiptarë ishin dëbuar nga trojet e tyre me dhunë.
“Vendi ynë u ngrit nga pluhuri i luftës dhe gjatë viteve të administrimit të UNMIK-ut në Kosovë, dhe ishte emisari special Marti Ahtisaari, i cili rekomandoi pavarësinë si status final. GJND solli vendime se Kosova bart të drejtën e vet dhe nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare kur shpalli pavarësinë. Me gjithë këto fakte, ju adresohem juve me korrektësi dhe them se pse jemi mbledhur sot këtu për herë të tretë për katër muaj. Është e pabesueshme që ky Këshill ka mbajtur më shumë sesione për Kosovën, se sa për Sirinë dhe Venezuelën. Është e papranueshme që ky Këshill është shndërruar në teatër nga Serbia përmes gënjeshtrave që as ata nuk iu besojnë. Kjo dhomë është duke u keqpërdorur. UNMIK-u nuk ka rol dhe as mandat për ta ushtruar në Kosovë. Kjo që po ndodh është se Serbia nuk është i sinqertë për dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Çitaku.

Ajo ka paralajmëruar se Kosova kurrë nuk do të negociojë për shtetësinë e Kosovës, por vetëm si dy shtete të pavarura, derisa Serbia vazhdimisht kundërshton idenë që Kosova është shtet dhe krijon drama kudo që vendi ynë paraqitet si shtet.

“Pse ne duhet të takohemi këtu kaq shpesh dhe të diskutojmë për një univers paralel për të cilin kanë zgjedhur vetë ata. Kërkoj që të mos ia mundësoni vazhdimësinë e kësaj parodie Serbia çdo ditë krijon dramë artificiale për t’iu shmangur pranimit të realitetit, duke vazhduar me absurditete të tilla. Ne nuk do ta ngrimë ekzistencën tonë derisa Serbia ta pranojë Kosovën si shtet të barabartë”, porositi ÇItaku.

Formimin e Ushtrisë së Kosovës, ambasadorja Çitaku e ka quajtur vendim të drejtë dhe që demonstron pjekurinë e Kosovës si shtet. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe, shtoi ajo, nuk ka qenë vendim i lehtë, por ai është marrë si përgjigje ndaj fushatave agresive të Serbisë kundër Kosovës. Çitaku ka përmendur edhe barrierat që Serbia ka vendosur ndaj prodhimeve kosovare, duke mos i lejuar ato të kalojnë nëpër Serbi.

“Vetëm tre për qind të eksporteve të Serbisë janë në Kosovë. Këtu nuk ka krizë humanitare. Ejani dhe shikoni realitetin”, tha ajo.

Ambasadorja Çitaku tha se dialogu nuk mund të kushtëzohet me arsyetimet e tilla të Serbisë, pasi edhe pala kosovare ka 20 mijë femra të dhunuara gjatë luftës në Kosovës, mijëra të vrarë dhe mbi 1 mijë persona të pagjetur.

Ajo tha se luftërat në ish-Jugosllavi ndodhën para syve të botës dhe të gjithë e dinë se kush i kreu ato, “dhe ajo adresë është Beogradi”.

“UÇK nuk ka qenë organizatë kriminele dhe terroriste, por ka pasur guxim të luftojë Millosheviqin dhe ne jemi krenar”, u shpreh Çitaku.

Vendimi për statutin e Trepçës, shtoi ambasadorja Çitaku, është legjitim, pasi është resurs i shtetit të Kosovës dhe porositi se koha kur vendimet janë marrë në Beograd tashmë kanë marrë fund.

Ajo ka folur edhe rreth vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq, duke thënë se policia e Kosovës ka punuar për sjelljen e autorëve para drejtësisë, duke bërë arrestime, por i dyshuari për vrasje vazhdon të fshihet në Serbi, e cila nuk dëshiron ekstradimin e tij në Kosovë.

Ambasadorja Çitaku porositi se Kosova është për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe se është koha që Serbia ta pranojë realitetin për njohjen e shtetit të Kosovës.