Cili do të jetë “Vampiri” i radhës!?

E publikuar: 29/05/2017 02:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Florim Zeqa

Nga Florim Zeqa

Këtë shkrim do e filloj me rrëfimin e një bisede me ish mikun tim të “ndjerë” gjatë periudhës së bllokadës paszgjedhore të vitit 2014-të. Sikurse asokohe edhe sot e mbajë të njëjtin qendrim sa u përket koalicioneve të panatyrshme para(pas)zgjedhore.
Ishte përiudha e LAN-it, ende nuk ishte bërë V-LAN!
Derisa bisedonim rreth situatës politike në vend, unë e kundërshtoja fuqishëm koalicionin e papritshëm dhe panatyrshëm pasgjedhor LAN, e kundërshtoja edhe mosreflektimin pozitiv të liderit të LDK-së pas humbjes së zgjedhjeve nacionale të 2014-s, ndërsa miku im i “ndjerë” m’u drejtua me këto fjalë, po citoj; “Isa Mustafa e ka zgjedhur “Rambon” si “Vampir” të guximshëm për ta ngrënë Hashim Thaçin”!
Në këtë rast përgjigja ime ishte e mënjehershme; “Kjo është logjikë e marrë, jo vetëm që nuk ka gjasa të ndodhë diçka e tillë, mund të ndodhë kundërta e saj (siq ndodhi) dhe se LDK-ja do të zhytet në aventura dhe iluzione akoma më të rrezikshme për të ardhmen e saj,…se këto janë metoda të monstrumëve politik, të cilët mund të shdërrohen në “Vampir” të LDK-së”.
Vërtetë pas kësaj bisede nuk kaloj kohë shumë e gjatë kur ndodhi pabesia më e madhe e shekullit ndër shqiptarët e Kosovës, kur lideri i LDK-së Isa Mustafa për të kënaqur egon e tij personale tradhëtoi vullnetin e shumicës shqiptare në vend të bashkuar asokohe rreth koalicionit më të madh politik të pasluftës-VLAN.
Pas këtij veprimi të shëmtuar, u përmbysen ëndrrat e shqiptarëve për ndryshime, edhe pse Isa Mustafa e muar rolin e “Vampirit”, pafuqia e tij për të kafshuar aty ku duhet, e puthi në vendin më të mirë Hashim Thaçin duke e katapultuar atë në postin e presidentit të vendit.
Për të mos u lëshuar në zhvillimet e mëvonshme që janë të njohura mirë për opinionin e gjërë, po i kthehem temës që nisa në fillim.
Bashkëjetesa trevjeqare e koalicionit të panatyrshëm PDK-LDK-Lista Srpska përveqse nuk i solli gjë të mirë vendit, prodhoi efekte tepër negative, pasojat e të cilave do t’i bartin shumë qeveri dhe gjenerata të ardhshme të vendit.
Me prishjen e “kurorës” qeverisëse PDK-LDK, vendi u kthye në pikën zero, në atë të vitit 2014-të, ndërsa LDK-ja pësoj rënjën në nivelin më të ulët në historikun 27 vjeçar të ekzistencës si subjekt politik.
Sikurse në vitin 2014, edhe në zgjedhjet e 11 qershorit LDK-ja do të dali humbëse e zgjedhjeve, porse kësaj radhe humbja e saj do të jetë pak më e dhimbshme dhe kushtueshme për këtë subjekt politik!
Sikurse lideri i saj të tregohej i përgjegjshëm dhe largëpamës pas humbjes në zgjedhjet e nacionale të vitit 2014, me tërheqjen në opozitë, i ashtuquajtri “krah i luftës” do të bëheshin bashk që atëherë. Tre vitet e kaluara do të ishin të mjaftuara për t’u testuar dhe sprovuar “krahu i luftës” në përballje me Serbinë në bisedimet e Brukselit dhe bashkësinë ndërkombëtare.
Në anën tjetër, për këto tre vite LDK-ja do të kishte mundësi të unifikohej dhe fuqizohej si asnjëherë më parë në skenën e brisht politike kosovare, për çka zgjedhjet e radhës qofshin ato lokale apo nacionale do të ishin kafshatë e lehtë për LDK-në.
Për tre vite në qeverisje, “hazreti” Isai jo vetëm që nuk arriti ta mund djallin, LDK-në e tkurri në përmasat e tij trupore! Në vend që kësaj radhe LDK-ja t’i hyjë garës me 110 deputet të saj në listën zgjedhore, do të hyjë me numër të reduktuar dhe pa gjasa për fitore.
Në anën tjetër “krahu i luftës” ndodhet para sfidave të mëdha për vendin. Medeomos duhet të dëshmohen si çlirimtar ashtu siq deklarohen, në të kundërten do ta humbin shpejt besimin dhe rrezikojnë të ndëshkohen deri në përbuzjen më të madhe nga populli”
E themë këtë, duke u nisur nga fakti se çlirimtare faktike te vendit tonë është Aleanca më e fuqishme në botë NATO dhe SHBA-të, ndërsa sa i përket luftës, i gjithë populli i Kosovës ishte i pjesmarrës në luftën çlirimtare, përfshirë mërgatën shqiptare gjithandej vendeve Evro-përëndimimore, Amerikë e deri në Zelandë të re.
Andaj askush nuk e ka të drejtën për marrjen e primatit të çlirimitarit dhe as krahut të luftës. Shkuarja tutje e “krahut të luftës” me abuzimin në emrin e luftës së shënjtë çlirimtare, do të bëjë që sindromi i përçarjeve, katandisjes dhe theqafjes politike të vazhdojnë tutje deri në pambarim, duke e mbajtur shtetin e Kosovës si vrimë të zezë në Ballkan.
Na mbetët të shofim pas zgjedhjeve të 11 qershorit, kush do të shpërblehet, kush do ta luaj rolin e “Vampirit”, e kush do të bie viktimë e tij!
E ndoshta kësaj radhe do të zgjohet nga agonia edhe miku im i “ndjerë, për t’na treguar cili do të jetë “Vampiri”i radhës pas zgjedhjeve të 11 qershorit!?