Cila do të jetë më e madhe: PDK-ja apo Vetëvendosje?

E publikuar: 12/06/2017 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje e ka shpallur veten si partia më e madhe në vend.

Pas zgjedhjeve të djeshme, ku Vetëvendosje rezultoi me dyfishim të votave, zyrtarët e saj deklaruan se ata tash janë partia më e madhe në vend.

Numërimi i kutive të votimit tashmë po shkon drejt përfundimit, mirëpo me rezultatin e deritashëm, gjasat janë sërish që Vetëvendosje me 31 deputetë të mos dalë para Partisë Demokratike të Kosovës.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, dje në Klan Kosovë deklaroi se AAK-ja dhe Nisma së bashku mund të marrin prej 5 deri në 8 deputetë, që nënkupton se edhe vetë pritshmëritë e tyre janë që PDK-ja të ketë minimum 31 deputetë sa ka arritur Vetëvendosje me këtë rezultat zgjedhor, derisa gjasat i ka të ketë edhe më shumë kur dihet se pragu është më i madh te partitë e koalicionit.

Me votat e deritashme, koalicioni PDK-AAK-Nisma kanë arritur t’i kenë 39 deputetë, porse ende është shumë herët të dihet se sa prej tyre do të jetë deputetë nga radhët e PDK-së.

Përveç numrit të deputetëve, sigurisht se e rëndësishme është të dihet edhe cili do të jetë lideri më i votuar në vend.

Megjithatë, ajo që mund të pritet është se më të votuarit do të jenë Kadri Veseli ose Albin Kurti.