Chromebook-ët e ardhshëm mund të funksionojnë me Snapdragon 845

E publikuar: 25/12/2017 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qualcomm Snapdragon 845 do të jetë pjesë e disa prej flagshipëve të 2018-ës dhe kompjuterave “Always-Connected” të Microsoft dhe Qualcomm, por gjithashtu ekziston një mundësi që festës ti bashkohet edhe Google me Chromebook-ët.

Ndryshe nga flagshipët të cilët funksionojnë me Android dhe kompjuterat “Always-Connected” me Windows, linja Chromebook e Google fuqizohet nga Chrome OS.

Thellë në kodin e Chrome OS, zhvilluesit XDA kanë zbuluar disa prova të qarta se në një të ardhme të afërt do të kemi një Chromebook me procesor Snapdragon.

Në aspektin e fuqisë dhe konsumit të energjisë, Snapdragon 845 do të ishte një opsion edhe më i volitshëm për Chromebook-ët sesa kompjuterat Windows.

Megjithatë ka pasur disa pengesa në përdorimin e procesorëve Android. Së pari duhen driver-at e nevojshëm. Së dyti ka pasur kritika ndaj Qualcomm për neglizhimin e platformave me kod të hapur si Linux sa i takon mbështetjes për driver-at.

Por situata duket se ka gjetur një zgjidhje. Snapdragon 845 do të ishte procesori ideal për një Chromebook falë balancës mes performancës dhe konsumit të energjisë.

Zakonisht Chromebook-ët kanë ofruar jetëgjatësi më të lartë bateri sesa laptopët tradicionalë, kjo falë natyrës së “lehtë” të sistemit operativ. /PCWorld Albanian