Chelsea rikthehet te fitoret, triumfon lehtësisht ndaj Fulhamit

E publikuar: 02/12/2018 15:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Chelsea është rikthyer te fitoret pasi ka mposhtur në Stamford Bridges rivalin lokal Fulham me rezultat 2-0.

Tifozët e pranishëm në stadium e panë golin e parë vetëm pas katër minutave lojë.

Mesfushori francez, N’Golo Kante rrëmbeu një top në mesfushë dhe asistoi bukur tek Pedro Rodriguez i cili shënoi lehtësisht për 1-0.

Chelsea pati rast të mirë ta dyfishojë epërsinë në fund të pjesës së parë, por Olivier Giroud nuk ia doli ta dërgonte topin në rrjetë.

Me epërsinë minimale të vendasve 1-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Edhe në pjesën e dytë vendasit luajtën më mirë dhe sulmonin vazhdimisht portën e mysafirëve.

Por u desh të pritej minuta e 82-të për ta parë golin e dytë në këtë sfidë.

Ishte mesfushori i inkuadruar nga banka rezervë, Ruben Loftus-Cheek që realizoi pas asistimit nga Eden Hazard.

(Photo by Justin Setterfield/Getty Images/Guliver)

Kjo fitore Chelsean e ngrit në pozitën e tretë në tabelë me 31 pikë të grumbulluara, shtatë më pak se lideri Manchester City.

Ndeshjen e ardhshme Chelsea do të luaj si mysafir i skuadrës së rikthyer në Ligën Premier, Wolverhampton Wanderers.

Në anën tjetër, Fulham do të jetë nikoqir i Leicester Cityt. /Telegrafi/