Chapecoense pas tragjedisë arrin ta sigurojë mbijetesën, festë në dhomat e zhveshjes (Video)

E publikuar: 17/11/2017 23:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Chapecoense ka arritur ta sigurojë mbijetesën në kampionatin brazilian të futbollit ‘Brasilerao’ disa javë para se të mbyllet kampionati.

Klubi, i cili thuajse u shua nga tragjedia ajrore e 28 nëntorit të një viti më parë, gjatë të cilit humbën jetën 19 futbollistë, mposhti 2-1 Vitorian një natë më parë, duke siguruar matematikisht mbijetesën kur kanë mbetur edhe 3 javë për t’u luajtur.

Skuadra bardhëegjelbër me një ekip të rindërtuar tërësisht ka arritur të tubojë 47 pikë dhe mban vendin e 10 në renditje.

Mbijetesën, Chapecoense arriti ta siguronte në fushën e lojës, edhe pse Federata braziliane kishte arritur një akord me skuadrat e tjera për t’i garantuar mbijetesën në kampionatin elitar për të paktën 3 vite pas tragjedisë, në mënyrë që t’i lejonin asaj rindërtimin e grupit.

Por Chapecoense duket se ka refuzuar këtë “privilegj” dhe arriti të merrte tre pikët e radhës pas një 90-minutëshi të vuajtur që pa të përmbyste avantazhin e Vitorias.

Në dhomat e zhveshjes nisi menjëherë festa, që ishte edhe më e madhe nga sa pritej për shkak të lajmit se portieri i mbijetuar nga tragjedia ajrore, Jackson Follmann, i është rikthyer fushave të blerta, duke u stërvitur pavarësisht një këmbe të prerë. /Top Channel/