Challandes: Sllovenia konkurrent shumë i fortë

E publikuar: 10/10/2020 22:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Selektori i Kombëtares Kosovare, Bernard Challandes ka dhënë deklaratë për media një ditë para përballjes me Slloveninë, përcjell “KosovaPress”.

Challandes në deklaratën e tij për media ka folur për ndeshjen ndaj Maqedonisë, harmoninë brenda lojtarëve dhe pritshmëritë që janë kundër Sllovenisë.

“Mbrëmjen e kaluar e analizova lojën që bëmë ndaj Maqedonisë. Nuk ishte shumë e keqe por nuk ishte as e mirë, rezultati në fund ishte shumë i keq për ne. Lojtarët kanë qarë, ishim të zhgënjyer, nuk ishte ndjenjë aspak e mirë. Mendoj që duhet ta analizoj edhe njëherë në detaje që të nxjerrë diçka në përfundim,” tha Challandes.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje me lojtarët që kemi në dispozicion. Ndeshja e nesërme ndaj Sllovenisë do jetë e vështirë. Lojtarët tanë janë të shkatërruar. Fizikisht janë të lodhur shumë, vijnë nga një ndeshje e vështirë, një që duhet harruar.

“Në ndeshjen me Rumaninë, Sllovenia ishte shumë e fortë dhe kjo do të thotë që ne duhet të bëhemi gati për luftë të fortë. Duhet ta luajmë lojën tonë më të mirë, të mbajmë topin, të luajmë me pasime dhe kombinime të shpejta,” tha ai.

Kosova nesër do luajë kundër Sllovenisë me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” ndeshje kjo e vlefshme për Ligën e Kombeve.