Challandes nuk e ftoi, reagon Bernard Berisha, ky është mesazhi i tij

E publikuar: 03/10/2020 16:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes e ka publikuar listën e futbollistëve për tri ndeshjet e këtij muaji para pak ditësh, raporton KosovaPress.

Në listën e tij, Challandes nuk e ftoi mesfushorin Bernard Berisha dhe kjo ngjalli reagime të shumta tek tifozët dhe të gjithë dashamirët e futbollit kosovar.

Pas kësaj, ka ardhur edhe reagimi i lojtarit i cili nëpërmjet një video-inçizimi në “Facebook” ka deklaruar se ai dhe familja e tij janë të mërzitur me vendimin e trajnerit, por se e respekton atë si dhe ka kërkuar që të gjithë t’i mbështesin djemtë në këtë ndeshje historike për Kosovën.

“Duke marrë parasysh që në këto ditë është folur shumë për çështjen time, kam dëshirë që ta jap mendimin tim për këtë çështje dhe të sqarohet gjithçka. Fillimisht unë dhe familja jemi të mërzitur shumë për mos-ftesën nga Kombëtarja e Kosovës, poashtu dua të them se e pranoj vendimin e trajnerit duke marrë parasysh që kemi një ndeshje shumë të rëndësishme”

“Ndeshja ndaj Maqedonisë së Veriut është një histori për shtetin e Kosovës, prandaj ju bëjë thirrje që ta mbështesin Kosovën sepse djemtë që janë aty kanë nevojë për mbështetjen tuaj dhe vetëm të bashkuar mund t’ia dalim. Forca Kosova.”, ka deklaruar Berisha.

Ndeshja ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës zhvillohet më 8 tetor.