Challandes i palumtur me formatin e play-off’it: E pamundur për tifozët e Kosovës të në përkrahin në finale

E publikuar: 20/02/2020 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, është i pakënaqur me formatin e ndeshjeve të play-off-it për kualifikim në Euro 2020, të cilat zhvillohen në fund të muajit të ardhshëm, duke thënë se një format i tillë krijon probleme të ndërlikuara logjistike për ekipin e tij dhe e bënë pothuajse të pamundur për tifozët dardanë të jenë të pranishëm në stadium për ndeshjen vendimtare.

Gati katër vjet pasi u pranua nga UEFA dhe FIFA, Kosova e ka mundësinë për t’u kualifikuar në një turne të madh, por për ta arritur këtë i duhet t’i fitojë dy ndeshje jashtë vendit, kundër Maqedonisë së Veriut dhe ndaja Gjeorgjisë ose Bjellorusisë, transmeton Gazeta Express.

Gjashtëmbëdhjetë kombëtare janë kualifikuar në fazën e play-off’t përmes turneut inaugurues të Ligës së Kombeve dhe janë ndarë në katër grupe, ku do të luhen nga dy gjysmëfinale dhe një finale në secilin grup.

Përparësinë për të luajtur në shtëpi në ndeshjen gjysmëfinale e kanë kombëtaret që kanë pasur rezultat më të mirë në Ligën e Kombeve. Ndërsa vendi i zhvillimit të finales u caktuar përmes shortit.

Kosova nuk pati fat në asnjërën, prandaj do t’i duhet ta vizitojë Shkupin fqinj për t’u përballur me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinal më 26 mars dhe nëse fiton, Gjeorgjinë ose Bjellorusinë tri ditë më vonë.

Challandes thotë se kjo e bën pothuajse të pamundur për tifozët e Kosovës të jenë të pranishëm në stadium për ndeshjen finale, nëse verdhekaltrit kualifikohen, i cili do të ishte meçi më i rëndësishëm në histori të Kosovës deri tani.

“Ata (tifozët) do të duhet të organizojnë diçka të premten në mëngjes për të udhëtuar drejt Tbilisi apo Minks të dielën. Ky do të ishte udhëtim tejet i vështirë, gati i pamundur”, tha trajneri zviceran i Kosovës.

“Organizimi nga UEFA nuk është i mirë. Nuk e kuptoj përse nuk e organizuan zhvillimin e të gjitha ndeshjeve në një shtet. Për shembull në Austri apo Zvicër, kështu do të kishte qenë më mirë”, shtoi Challandes.

Ai tha me bindje se në këtë mënyrë, Kosova do ta mbushte stadiumin.

“Kështu do ta kishim stadiumin plot, prandaj njerëzit janë të tërbuar. Ne gjithmonë i kemi pasur 100 mijë apo më shumë kërkesa për bileta për ndeshjet tona”, theksoi ai. /Gazeta Express/