Çfarë u tha në seancën e KS të OKB-së për Specialen?

E publikuar: 28/05/2015 08:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Duke vlerësuar se Gjykata Speciale ka qenë një çështje që ‘ka preokupuar Këshillin e Sigurimit,’ zvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi, u tha anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të martën se Kosova do ta themelojë këtë institucion ‘për të pastruar luftën tonë dhe për të izoluar rastet individuale dhe veprimet negative.’

Thaçi si lider i partisë që ka më shumë deputetë në Kuvend tha më tej se sipas interpretimeve të gjykatës Kushtetuese themelimi i Gjykatës Speciale ishte në pajtim me Kushtetutën dhe ‘Kuvendi i Kosovës do të votojë më 29 maj krijimin e Dhomave të Posaçme.’

Për krijimin e Gjykatës u angazhua edhe ambasadori Amerikan, David Pressman, për të nënvizuar se ‘SHBA i marrin shumë seriozisht akuzat për krime lufte.’

“Kosova duhet të përgjigjet në mënyrë të duhur rreth akuzave për krime të rënda të kryera në mes 1998 dhe 2000… duke ngritur një Gjykatë Speciale të fuqishme që mund t’i gjykojë këto raste. Gjetjet verën e kaluar nga ana e task forcës speciale hetuese e BE-së thonë se ka prova të mjaftueshme për të ngritur padi ndaj një numri të vogël individësh për krime të rënda të kryera gjatë kësaj periudhe,” tha Pressman ndërsa nënvizoi mbështetjen e SHBA për kryeprokurorin e ri, David Schëendiman.

‘Është zhgënjyese, tha përfaqësuesja e Britanisë së Madhe, Alexandra Davison, që Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shtyrë votimin për Gjykatën Speciale.’, raporton triguna

“Kjo vonesë rrezikon zotimin e Kosovës për sundimin e ligjit si dhe përballjen me krimet e luftës. Nëse votimi vonohet edhe më tej, kjo do të ndikojë në reputacionin e Kosovës. Krijimi i Gjykatës do të jetë një hap i rëndësishëm në përpjekjet e Kosovës për të luftuar mosndëshkimin,” tha përfaqësuesja britanike.