Çfarë do të ndodhë me koalicionin qeverisës, nëse dështon Demarkacioni?

E publikuar: 27/08/2016 16:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarët nga radhët e partive në koalicionin qeverisës PDK e LDK, nuk kanë ndonjë qëndrim të qartë për fatin e koalicionit nëse marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, nuk kalon të enjten në Kuvend.

Sipas tyre miratimi i kësaj marrëveshje është shumë i rëndësishëm për Kosovën, dhe se duhet të bëhet.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se shkuarja në zgjedhje nëse dështon ratifikimi është puna më e lehtë, por që çështja me shtetin fqinjë, Malin e Zi do të zgjatet.

Haliti për lajmi.net ka thënë se nuk ka ndonjë informacion se ç’farë mund të ndodh nëse dështon Demarkacioni, por sipas tij, të dy partitë janë të interesuara që marrëveshja të ratifikohet.

“Nuk po paragjykoj, por ne duhet ti caktojmë kufijtë shtetërore dhe me Malin e Zi edhe me Serbinë.

“S’kam informacion që rrezikohen raportet, të dyja partitë që janë në koalicion vendimet i kanë që të votohet demarkacioni, disa deputet janë kundër, të shohim se si do të zhvillohet situate me 1 shtator”, ka thënë ky zyrtar i lartë i PDK-së, raporton lajmi.net.

Për deputetin dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Sadri Ferati është pak e rëndësishme fati i koalicionit pas kësaj date. Ai thotë se është e rëndësishme që kjo marrëveshje të kalojë, pasi siç vlerëson ai, është “është një votim të ecim përpara apo të kthemi mbrapa”.

Ferati për lajmi.net thotë se koalicioni edhe mund të vazhdojë edhe nëse marrëveshja nuk kalon, por në rast se një gjë e tillë ndodhë në Kosovë do të ketë kriza dhe jo stabilitet edhe në qeverisje.

“Pak është e rëndësishme a prishet stabiliteti mes dy partive, por është e sigurt që krijohet jo stabilitet e cila do të reflektoj edhe në qeverisje, koalicioni mund edhe të qëndroj, por do të ndikoj në besueshmërinë e qeverisjes dhe Kosova do të futet në krizë”, ka thënë deputeti Ferati.

Marrëveshja për ratifikimin e demarkacionit do të shkojë në Kuvendin e Kosovës me 1 shtator, pas më shumë se një vit që kur kjo marrëveshje ishte nënshkruar me 25 gusht të vitit 2015në Vjenë, nga Kosova dhe Mali i Zi.

Kjo marrëveshje kundërshtohet nga partitë opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile.