Çfarë po synon të fitojë LDK-ja duke i mbajtur të fshehur kandidatët për të parin e partisë?

E publikuar: 29/07/2019 16:43
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Javë më parë, Lidhja Demokratike e Kosovës nisi procesin e brendshëm zgjedhor dhe po pretendon ta mbyllë më 3 gusht me mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor ku do të zgjidhet edhe të parin e partisë.

Gjatë këtij procesi, pati shumë mospajtime brenda partisë. Nëpër degë të ndryshme përpos përplasjeve verbale, u shkaktuan edhe përplasje fizike.

Për këto veprime LDK mori kritika të shumta, pasi u shfaq mundësia që të ndodhte edhe një ‘kuvend i karrigeve’.

Përkundër të gjithave, kjo parti është e vendosur t’i mbajë të fshehur kandidatët për kryetar. I vetmi që zyrtarisht e ka pranuar se do të kandidoj për të parin e LDK-së, është ish-kryetari, Fatmir Sejdiu.

Fatmir Sejdiu kthehet për t’ju ‘hakmarrë’ Isa Mustafës, prapa ka familjen Rugova?

Emra të tjerë që janë përmendur janë ai i Avdullah Hotit, Lutfi Hazirit, Agim Veliut e Vjosa Osmanit.

Njohësi i çështjeve politike, Shkodran Ramadani thotë për lajmi.net, se arsyeja kryesore pse LDK po i mban të fshehur kandidatët, është se po mundohet të tregojë se e ka situatën në kontroll.

“Arsyeja kryesore pse LDK-ja është duke e mbajtur të fshehur, është që po mundohet të tregojë se e ka situatën në kontroll, që nuk ka zëra shumë të pakënaqur, zëra që kanë shumë ambicie, dhe të cilët për shkak se nuk munden me gjet veten mirë në garën brenda LDK-së, munden me shpërnda informacion përmes të cilit partitë tjera kishin mundur të organizonin fushatë, për me pengu dhe stigmatizua procesin e brendshëm zgjedhor”, ka thënë Ramadani.

Ai ka theksuar se LDK po mundohet të tregojë se i ka tejkaluar tensionet që i ka pas, gjatë zgjedhjes së kryetarëve për degë të ndryshme, transmeton Lajmi.net.

“LDK nuk po donë me e përmbyll një proces të cilin dihet kryetari shumë ma herët, por po donë që ta lë ekskluzivitetin e zgjedhjes së tij ditën kur votohet”.

Sipas Ramadanit, kjo parit dëshiron të dal fuqishëm me kryetar të ri por edhe me kandidatin për kryeministër, pasi mendon se kjo ua mundëson një formulë fituese në zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Kjo është arsyeja kryesore duan me mbajt fshehtë dhe me dal me një ekip i cili i balancon interesat dhe ambiciet fraksioneve të ndryshme që ekzistojnë në LDK”, ka përfunduar Ramadani.

Kuvendi zgjedhor i LDK-së do të mbahet këtë të shtunë. Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e partisë, Besian Mustafën për të pyetur rreth detajeve të këtij tubimi, por nuk ka arritur të marr përgjigje.

Vlen të theksohet se të dielën u raportua se kryetari aktual i LDK-së, Isa Musafa do të rikandidojë edhe një herë për të parin e partisë. Dyshimet e ngjallën pasi djali i tij, postoi një fotografi në Facebook me mbishkrimin “të disponuar për sfidat e radhës”.