Çfarë kuptimi ka tërheqja e 4 kryetarëve të Komunave në veri, e jo e 6 të tjerave në gjithë Kosovën

E publikuar: 02/12/2018 22:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dorëheqja e kryetarëve të 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për taksën prej 100 për qind për prodhimet e Serbisë, ka thelluar situatën politike në atë pjesë të vendit duke krijuar vakuum institucional dhe mundësi për pushtet të dyfishtë, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore, në njërën anë, si dhe mosveprimi i njëjtë nga ana e kryetarëve të 6 komunave me shumicë serbe në pjesën tjetër të Kosovës, të cilët të gjithë i takojnë Listës Serbe, shpjegon konceptin e ndryshëm që ka ky subjekt politik.

Sipas tij, në veri të Kosovës, deri më tash ka ekzistuar një paralelizëm joformal, por ai tash po rrëshqet drejt formalitetit.

“Parashikimet janë që institucionet në veri, që janë të udhëhequra nga Lista Serbe, do të kërkojnë të hyjnë në negociata me strukturat e Kosovës. Pra, do të bëhet tërheqja e vendimit për taksën prej 100 për qind për prodhimet serbe dhe të plotësohen kushtet tjera që kanë të bëjnë me Bashkësinë e komunave serbe ose veriu do ta udhëheqë një politikë krejt tjetër, në të cilën institucionet e Kosovës nuk do të kenë qasje. Fundja, mund të kemi zgjedhje edhe në Kosovë, si shkas i kësaj krize”, tha Tahiri.

Njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë që edhe më herët, pavarësisht situatës politike, përfaqësuesit e Listës Serbe, të cilët ishin pjesë e institucioneve të Kosovës, përfshirë edhe kryetarët e komunave, në fakt kanë qenë të kthyer kah Beogradi. Edhe në situatën e tanishme, kur kryetarët e komunave veriore kanë dhënë dorëheqjen, sipas tij, ata do të përpiqen ta mbajnë pushtetin.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.