Çfarë humbet Reali nga shitja e treshes Ronaldo-James-Morata

E publikuar: 22/06/2017 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kjo verë është shumë e nxehtë për Realin e Madridit dhe nuk bëhet fjalë aspak për temperaturat e larta.

Skuadra madrilene po përballet me largimet e mundshme të 3 futbollustëve dhe bëhet fjalë për Cristiano Ronaldo, James Rodriguez dhe Alvaro Morata, edhe pse dëshira e Zinedine Zidane është që ata të qëndrojnë te “Los Blancos”.

Në rast se do të konfirmohet largimi i këtyre 3 futbollistëve, Reali do të humbasë jo pak në aspektin sportiv. Kjo për faktin se gjatë këtij sezoni, Ronaldo, Morata dhe Rodriguez kanë shënuar së bashku 73 gola, që është e barabartë me 43% të golave të shënuar gjithsej nga skuadra “merengue”.

Për James Rodriguezin dhe Moratën dihej prej kohësh që e kanë të ardhmen larg kryeqytetit spanjoll, ndërkohë që atyre u është shtuar edhe Cristiano Ronaldo, i cili, sipas medias portugeze, duket se nuk ka ndërmend të bëjë prapakthehu në vendimin e tij. Me largimin e Ronaldos, Reali humbet jo vetëm golat, por edhe liderin, forcën fizike. Në këtë sezon portugezi shënoi 42 gola në 46 ndeshje në të gjitha aktivitetet, ndërkohë që dha edhe 12 asist, duke qenë pika e referimit të sulmit të Realit të Madridit.

Do të ndihet jo pak edhe mungesa e Alvaro Moratës. Sulmuesi spanjoll, i cili është pranë kalimit te Manchester United, në 43 ndeshje të luajtura në këtë sezon ka shënuar 20 gola dhe të gjithë në sfidat që i ka nisur si zëvendësues.

Përsa i përket James Rodriguez, kolumbiani është i pakënaqur për shkak të aktivizimit të pakët nga ana e Zidane. Megjithatë, në finalen e Ligës së Kampioneve në Kardif ishte ndër më të spikaturit për 12 herë kampionët e Evropës. Për kolumbianin kanë shfaqur interesin e tyre Chelsea dhe Manchester United./tch/