Ceremoni madhështore për inaugurimin e Hashim Thaçit, president!

E publikuar: 18/03/2016 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Hashim Thaçi do të jetë presidenti i parë i Kosovës, ku do të organizoj një ceremoni madhështore me rastin e pranim – dorëzimit të detyrës.

Kështu i kanë thënë Gazetës Blic të afërta me presidentin e ri të Kosovës.

“Ceremonia do të jetë madhështore. Janë duke u bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për organizimin e kësaj ceremonie, e cila do të organizohet në sheshin “Ibrahim Rugova” dhe “Skenderbeu”, përballë Kuvendit të Kosovës”, ka theksuar ky burim i Gazetës Blic.

Sipas këtij burimi, në këtë ceremoni të inaugurimit do të ketë edhe mysafirë ndërkombëtarë.

“Në ceremoni pritet të jetë e pranishme kryetarja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitarovic, ai i Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, si dhe përfaqësues të shumë shteteve, dhe shumë ish- president të rajonit”, ka theksuar ky burim.

Sipas këtij burmimi, ditëve në vijim pritet që edhe personalitete të shumta të konfirmojnë pjesëmarrjen në këtë ceremoni shtetërore nga rajoni dhe më gjerë.

“Ceremonia e inaugurimit të presidentit të ri, do të mbahet sipas të gjitha gjasave më datë 8 prill”, tha ky burim i Gazetës Blic.

Hashim Thaçi u zgjedh president para disa javësh, me kundërshtimin e fuqishëm të opozitës dhe të një pjese të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ai arriti që të zgjedhet president vetëm në raundin e tretë, ku arriti që të marrë 71 vota.

Në postin e presidentit, Hashim Thaçi do të zëvendësoj Atifete Jahjagën,e cila në këtë post erdhi, pasi Gjykata Kushtetuese e rrëzoi nga posti i presidentit, Behgjet Pacollin, për faktin se u shkelnë procedurat gjatë zgjedhjes së tij.