Çdo mohim i FARK-ut, është edhe mohim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

E publikuar: 30/04/2016 10:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe pjesëmarrësi në luftën e Koshares, Anton Quni ka thënë se Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës është krijuar me dispozita Kushtetuese.
Quni ka thënë për Indeksonline se Forcat e Armatosura të Kosovës kanë ekzistuar, sepse sipas tij, ka pasur një hierarki ushtarake.
“Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës është krijuar me vendim te Qeverisë se Republikës Kosovës sipas dispozitave kushtetuese të Republikës së Kosovës. MMRK ka ngritur kapacitetet ushtarake dhe ka ngarkuar njësitë operative me mision luftarak:
-mbrojtja e popullatës nga invadimi dhe terrori i forcave ushtarako-policore dhe paramilitare serbe;
-çlirimi i territorit të Kosovës nga po ato forca. Për këto arsye MMRK ka rekrutuar kuadrat ushtarake, ka ngritur infrastrukturën ushtarake, i ka siguruar fondet legale si dhe ka ushtruar komandimin dhe kontrollin mbi njësitë operative”, ka thënë Quni për Indeksonline.
Quni, që ishte ushtar i FARK-ut, ka thënë se personalisht është angazhuar nga ministri i mbrojtjes, dhe e konsideron si epror.
Sipas Qunit, çdo mohim i FARK-ut, është edhe mohim i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Unë personalisht jam ngarkuar me detyre nga ministri i mbrojtjes kolonel Ahmet Krasniqi dhe në zinxhirin komandues, ai ishte eprori im superior. Çdo mohim i rolit dhe peshës politike, ushtarake dhe historike të UÇK-së në kuadër të Forcave te Armatosura të Republikës së Kosovës është mohim i të vërtetës dhe nuk i shërben fare trajtimit korrekt të periudhës së viteve 1998 – 1999. Është e rëndësishme për vendin, për proceset që kanë ndodhur dhe po ndodhin që të thuhet e vërteta dhe të njihet kontributi i të gjithëve për të gjitha këto procese”, ka theksuar Quni për Indeksonline.
Ditë më parë në media nënkryetari i Kuvendit dhe njëri nga udhëheqësit e UÇK-së, Xhavit Haliti, deklaroi se nuk ka pasur kurrë FARK dhe për këtë ka fakte.