Çdo gjë gati për Final 8 të Kupës së Kosovës, pritet spektakël

E publikuar: 26/02/2019 13:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Federata e Basketbollit të Kosovës dhe KB Rahoveci të martën në zyre të FBK-së e kanë organizuar konferencën e fundit para fillimit të Final 8 të Kupës së Kosovës.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të organizohet prej 27 shkurt deri më 3 mars në Rahovec.

Të pranishëm në konferencë ishin, Elvira Dushku-Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, Alban Rama-Anëtar i Bordit të KB Rahoveci dhe kapitenët e ekipeve pjesëmarrëse në Final 8 të Kupës së Kosovës.

Dushku dhe Rama folën në detaje për përgaitjet teknike dhe organizative të Final 8 të Kupës së Kosovës, derisa kapitenët e skuadrave u përqëndruan në rivalitetin në parket dhe synimet me ekipet e tyre.

Elvira Dushku, Sekretare e Pëegjithshme e FBK-së:

“Federata e Basketbollit të Kosovës dhe KB Rahoveci i kanë bërë të gjitha përgatitjet organizative për Final 8 të Kupës së Kosovës dhe ne jemi gati që gjithçka të filloj të mërkurën.

FBK e përgëzon KB Rahovecin për punën e madhe që e ka bërë jo vetëm për organizimin e këtij aktiviteti, por edhe për përkushtimin dhe vullnetin e madh që e kanë treguar për përfundimin e punimeve në palestrën e re, e cila do të inaugurohet nesër në hapjen solemne. KB Rahoveci me ndihmën e Komunës së Rahovecit e kanë bërë një punë të mrekullueshme që gjithçka të jetë gati për të mërkurën.

Tani mbetet që ekipet dhe tifozët të na dhurojnë spektakël të basketbollit.

FBK ju dëshiron suksese KB Rahovecit si organizator, por edhe skuadrave pjesëmarrëse në Final 8 të Kupës së Kosovës”.

Alban Rama, anëtar i Bordit të KB Rahoveci:

“Ne jemi shumë të lumtur që palestra është kryer me kohë dhe kemi arritur që besimin e dhënë nga Federata e Basketbollit të Kosovës ta arsyetojmë, pra me një organizim të shkëlqyeshëm.

Ne jemi të gatshëm dhe qysh nga sot ka filluar shitja e biletave, ku do të ketë bileta ditore me çmim 2 euro, derisa për tifozët e ekipeve do të ketë bileta të veçanta 1 euro, pasi që ata do të jenë të pranishëm vetëm në ndeshjet e skuadrave të tyre dhe më pas duhet të lirojnë palestrën.

Sa i përket sigurisë, ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, kurse e kemi organizuar edhe sigurimin privat në mënyrë që gjithçka të shkoj në mënyrën e duhur.

Ceremonia e hapjes solemne do të filloj në ora 18:15, ku do të marrin pjesë zyrtarët e KB Rahoveci, FBK-së, Komunës së Rahovecit dhe zyrtarë të lartë shtetëror.

Me padurim presim që të filloj Final 8 i Kupës së Kosovës dhe të dëshmojmë se KB Rahoveci e ka merituar një organizim të tillë. Ekipeve ju dëshiroj mirëseardhje dhe sukses në ndeshjet e tyre.

Ne si klub premtojmë që do të jemi të gatshëm dhe në shërbim të të gjitha skuadrave dhe FBK-së”.

Duhet theksuar se fitues të Kupës së Kosovës për edicionin e kaluar janë KB Z Mobile Prishtina te meshkujt dhe KB Prishtina te femrat.

Edmond Azemi, kapiten i KB Z Mobile Prishtina:

“Jam shumë i lumtur që KB Rahoveci tashmë e ka palestrën e vet. Kjo do të thotë se tashmë ky qytet do të ketë më shumë djem dhe vajza që do të merren me basketboll, dhe për ne, pra për komunitetin e basketbollit ky është një lajm shumë i mirë.

Sa i përket Final 8 të Kupës së Kosovës synimet e Z Mobile Prishtinës janë që ta mbroj trofeun e fituar një vit më parë dhe besoj se me potencialin që e kemi në skuadër do të arrijmë ta realizojmë këtë synim”.

Rron Grapci, basketbollist i KB Rahoveci:

“Ne jemi shumë të lumtur që do të luajmë në palestrën tonë dhe para tifozëve tanë. Jemi përgatitur maksimalisht si ekip për të gjitha ndeshjet dhe shpresojmë që të fillojmë me këmbë të mbarë në palestrën e re. Synimet e KB Rahoveci janë sigurimi i një vendi në finale. E dimë mjaft mirë se nuk do të jetë aspak lehtë, por ne besojmë se edhe me përkrahjen e tifozëve tanë do t’ia dalim që me sukses ta realizojmë këtë synim”.

Irma Konjusha, kapitene e KB Prishtinës – Femrat:

“Synimet e Prishtinës janë që ta mbrojë trofeun e fituar një vit më parë, por për të arritur deri në finale ne duhet që ta mposhtim Bashkimin të mërkurën në gjysmëfinale, gjë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Megjithatë me përforcimet që i kemi bërë dhe me forcën e lojtareve vendore ne besojmë se do të arrijmë të triumfojmë në përballje me Bashkimin dhe më pas edhe ta fitojmë Kupën”.

Qëndrim Biraj, kapiten i KB Bashkimit:

“Jemi duke punuar maksimalisht për tu përgatitur sa më mirë për Final 8. Në çerekfinale do të luajmë kundër rivalit lokal KB Ponte Prizrenit, të cilin e njohim mjaft mirë, por edhe ata na njohin neve. Shpresojmë se do të fitojmë në këtë përballje dhe më pas të vazhdojmë tutje. Synimet tona janë të shkojmë në finale dhe më pas të shohim se çfarë do të ndodh”.

Altin Gashi, kapiten i KB Golden Eagle Yllit:

“Në çerekfinale do të përballemi me KB Feronikelin, që bën gara në Ligën e Parë, por që për asnjë moment nuk do ta nënçmojmë, pasi që e dimë potencialin e tyre. Sidoqoftë ne jemi përgatitur dhe do të hyjmë në çdo ndeshje për të fituar dhe për të shkuar sa më larg në Final 8 të Kupës së Kosovës”.

Ulpiana Emra, basketbolliste e KB Bashkimi – Femrat:

“Synimet e KB Bashkimi janë që të hyjmë në ndeshje për të triumfuar në përballje me KB Prishtinën, edhe pse e dimë mjaft mirë se nuk do të jetë aspak lehtë. Ne jemi përgatitur maksimalisht për ta fituar këtë ndeshje, dhe më pas edhe trofeun e Kupës. Skuadra është në formë shumë të mirë, atmosfera është mbresëlënëse, andaj besoj se i kemi të gjitha kushtet që të triumfojmë së pari në gjysmëfinale dhe më pas edhe në finale”.

Jeta Zeka – kapitene e KB Penza – Femrat:

“Ne tashmë e kemi siguruar një vend në finalen e femrave dhe e presim fituesin e duelit KB Bashkimi – KB Prishtina.

Ne kemi arritur që pa katër përforcimet tona, që tashmë janë larguar të triumfojmë në gjysmëfinale kundër Vëllaznimit, ndërsa në finale do të japim maksimumin pavarësisht që do të luajmë vetëm me lojtare vendore”.

Qëndrim Ajazaj, kapiten i KB Ponte Prizreni:

“Jemi përgatitur për duelin me KB Bashkimin. E njohim mjaft mirë se kundërshtar, andaj do të bëjmë përpjekje që të shënojmë fitore dhe kështu të avancojmë tutje në Final 8 të Kupës. Nuk do ta kemi lehtë, sepse Bashkimi është një skuadër mjaft e fortë dhe kjo është vetëm një ndeshje, andaj do të hyjmë të fokusuar që nga minuta e parë e deri te fundit dhe besojmë se do të dalim fitues nga kjo ndeshje”.

Mustafë Merovci, kapiten i KB Feronikelit:

“Ne jemi shumë të kënaqur që do të jemi pjesë e Final 8 të Kupës së Kosovës. Përballë do ta kemi një skuadër cilësore si KB Golden Eagle Ylli dhe do të japim maksimumin. Synimet tona janë që nga Liga e Parë e Kosovës të hyjmë në Superligën e Kosovës, ndërsa sa i përket Final 8 ne premtojmë se do të dëshmojmë basketboll cilësor dhe do të mundohemi të jemi rival të denjë të Golden Eagle Yllit”.

Orari i Final 8 të Kupës së Kosovës:

E mërkurë (27.02.2019)

Bashkimi – Prishtina 14:00 (Femrat/Gjysmëfinalja e II-të)

Z Mobile Prishtina vs Trepça  16:30

Rahoveci vs Don Bosko 19:00

E enjte (28.02.2019)

Golden Eagle Ylli vs Feronikeli  16:30

Ponte Prizreni vs Bashkimi 19:00

E premte (01.03.2019)

Gjysmëfinalja e I-rë, 16:30

Gjysmëfinalja e II-të, 19:00

E shtunë (02.03.2019)

19:00, Ndeshja për medaljen e bronztë

E diel (03.03.2019)

14:00, Finalja në konkurrencën e femrave

17:00, Finalja në konkurrencën e meshkujve