Çaushi: Pjesëmarrja e Haradinajt në takimin te presidentja, flirtim me Mustafën e Thaçin

E publikuar: 07/02/2016 16:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka reaguar për pjesëmarrjen e paralajmëruar të Ramush Haradinajt në takimin e Presidentes, duke thënë se në këtë mënyrë po flirtohet me Hashim Thaçin e Isa Mustafën.
Çaushi ka shkruar se kushdo që shkon te Presidentja është kundër protestës së Opozitës të paralajmëruar më 17 Shkurt.

Sidoqoftë, ky zyrtar i Vetëvendosjes ka thënë se shkuarja e Haradinajt në takimin e Presidentes është shkelje e punës së Opozitës që është bërë në gjashtë muajt e fundit.

Madje, ai ka thënë se në këtë mënyrë po i ndihmohet ambicies së Thaçit për t’u bërë President e Isa Mustafës të mbetet Kryeministër.

Ndryshe, sot, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e Presidentes derisa Vetëvendosje e NISMA kanë refuzuar një takim të tillë.

Lexojeni të plotë reagimin e Nënkryetarit të Vetëvendosjes:

Takimi te Presidentja është takim kundër protestës gjithëpopullore të 17 shkurtit 2016. Zgjidhja është në shesh me qytetarët, jo në zyra të mbyllura me krerët e qeverisë kuislinge.

Për dallim edhe nga Amnesty International, Presidentja Jahjaga nuk e tha asnjë fjalë kundër arrestimit të gati gjysmës së deputetëve të opozitës dhe kundër ndërhyrjes brutale të Policisë Speciale të Kosovës në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 28 Nëntor 2015. Asnjë fjalë asnjëherë nuk e tha për peticionin e 205 mijë qytetarëve. Për më tepër edhe aktgykimin e Gykatës Kushtetuese ku vetë e ka nxitur procesin, nuk e përfilli kurrë. Ajo vazhdimisht ia mban anën regjimit të Thaçit e Mustafës prandaj ftesa e saj, në fakt, është ftesë e qeverisë.

Ky takim me Thaçin e Mustafën është shkelje e rezistencës gjashtëmujore të opozitës së bashkuar. Prandaj, ky takim është i gabueshëm për opozitën dhe i dëmshëm për Kosovën.

Takimi me Thaçin e Mustafën është flirtim me ta, për t’iu ndihmuar ambicieve të tyre (Thaçi që do të bëhet me çdo kusht President e Mustafa të mbetet me çdo kusht kryeministër). Takimet me ta janë afrim e bashkim me qeverisjen e tyre. Janë në kundërshtim të plotë me tërë atë që është ndërtuar deri tash me protestën e qytetarëve, aktivistëve e deputetëve, protestë kjo e cila e ka dëshmuar qartë se interesat e regjimit në njërën anë dhe ato të Republikës e të qytetarëve në anën tjetër, janë në kundërshtim me njëra tjetrën.

Meqë nuk kemi shkuar te Presidentja para tri javëve kur na thirri vetëm neve tri subjekteve opozitare, pse do të shkonim tek ajo tash kur është bashkë me Mustafën e Thaçin?!

Ne duhet të punojmë me qytetarët në mbrojtje të Republikës. Protesta gjithëpopullore e 17 shkurtit do të jetë edhe më e fuqishme.