Çarmatimi bërthamor i Phenianit, çështje kryesore në takimin e Gjenevës

E publikuar: 20/04/2018 21:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përkushtimi i Koresë së Veriut për çarmatosjen bërthamore të gadishullit korean pritet të jetë çështja kryesore për t’u diskutuar javën e ardhshme në Komitetin Përgatitor të 2018-ës për Konferencën e Rishikimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthmaore që është në plan të mbahet në viti 2020.

“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për një çarmatosje bërthamore të plotë, të verifikueshme dhe të pakthyeshme të Koresë së Veriut”, – tha ambasadori amerikan dhe përfaqësuesi i përhershëm në Konferencën e Çarmatimit, Robert Wood.

“Ne do to ta shohim takimin përgatitor si një mënyrë për të ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut, për të plotësuar detyrimet”, – shtoi ambasadori Wood.

Por kjo ka për të qenë e vështirë të realizohet në kuadrin e takimit, në kushtet kur Koreja e Veriut zgjodhi të tërhiqej nga Traktati në vitin 2003, shteti i parë anëtar që e bëri këtë veprim.

Takimi i Gjenevës, që është në plan të mbahet nga 23 prilli deri më 4 maj, është i dyti ndër 3 sesionet e planifikuara që të mbahen para konferencës së vitit 2020.

Pesë vendet që disponojnë armë bërthamore, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania e Madhe dhe Franca, janë në mesin e 191 vendeve që i janë bashkuar Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthmore, që hyri në fuqi në vitin 1970.

“Ky traktat ka qenë një prej më të suksesshmit në historinë e njerëzimit”, – tha ambasadori Wood.

Unitet Ndërkombëtar

Megjithatë, përfaqësuesi amerikan në Konferencën e Çarmatimit është i mendimit se dështimi për t’u bërë pjesë e traktatit, i katër vendeve të tjera të cilat kanë, ose mendohet të kenë armë bërthamore: India, Pakistani, Izraeli dhe Koreja e Veriut – për t’u bërë pjesë e traktatit, përbën shqetësim.

Ai paralajmëroi se gjendja e sigurisë ndërkombëtare po përkeqësohet me shpejtësi dhe se sfidat që paraqesin programet e raketave balistike dhe bërthamore të Koresë së Veriut, e ka bërë një kritike që shtetet anëtare “të bashkohen për ta fuqizuar traktatin.”

Amb. Wood pranoi se mosmarrëveshjet e fuqishme në mesin e komunitetit që mbështesin çarmatimin, janë problematike.

“Kushtet nuk janë pjekur për një çarmatim bërthamor, por si komunitet, ne tani duhet të bashkëpunojmë për krijimin e këtyre kushteve”, – tha ai.

Organizata Fushata Ndërkombëtare për të hequr dorë nga Armët Bërthamore, ICAN, fituese e Çmimit Nobel, nuk është pro këtij argumenti. Beatrice Fihn, drejtoreshë e ICAN-it, i akuzoi pesë shtetet bërthamore për “sabotim të traktatit”.

Ajo tha: “Këto shtete nuk janë duke marrë masa për çarmatosjen bërthamore, sikurse është rënë dakord, bazuar në detyrimet e marrëveshjes.”, duke shtuar se ato, krahas me katër shtetet e tjera që disponojnë armë bërthamore dhe që nuk janë të përfshira në traktat, po i modernizojnë arsenalet e tyre.

Zonja Fihn veçoi kërcënimet që paraqet Koreja e Veriut, që vazhdon të zhvillojë prova me armë bërthamore. Ajo shprehu shqetësim lidhur me situatën tepër të tensionuar dhe të rrezikshme që u krijua mes Koresë së Veriut dhe Shtetet e Bashkuara në dy muajt e fundit.

Ajo i tha Zërit të Amerikës se kishte marrë zemër nga perspektiva e një takimi të mundshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut në javët e ardhshme.

“Nuk jam shumë e sigurtë se ç’mund të dalë nga ky takim…por më duket premtues fakti që ka interes për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike. Unë mendoj se nuk ka gjasa që njëri prej nëntë shteteve që kanë armë bërthamore të vazhdojnë të kërcënojnë me përdorimin e armëve bërtahmore. Është e pamundur të trajtosh arsenalin bërthamor të Koresë së Veriut, pa patur parasysh arsenalet bërthamore të vendeve të tjera në përgjithësi.” – tha ajo.

Ambasadori amerikan Wood tha se është e rëndësishme të ruhet presioni ndaj Koresë së Veriut, derisa të jetë e qartë që Pheniani e ka seriozisht që të heqë dorë nga armët bërthamore.

“Presidenti Trump do të jetë shumë i kujdesshëm në takimin me Korenë e Veriut. Shtetet e Bashkuara nuk janë naivë për situatën. Por kjo është një mundësi dhe shpresoj se do të sjellë sukses.” – tha ai.

Traktati me Iranin

Marrëveshja bërthamore me Iranin, e cila u negociua nën administratën Obama, është një çështje e cila në se nuk zgjidhet, mund të ndikojë negativisht tek marrëveshja me Korenë e Veriut.

Trump duhet të marrë një vendim deri më 12 maj lidhur me të ardhmen e pjesëmarrjes së Shteteve të Bashkuara në Planin e Përbashkët të Veprimit me Iranin, JCPOA.

Ambasadori Wood i tha Zërit të Amerikës: “Ne dhe disa nga miqtë tanë europianë po përpiqen të punojnë për një marrëveshje shtesë, në përpjekje për trajtimin e disa shqetësimeve madhore që ne kemi për Planin e Përbashkët të Veprimit me Iranin. Diskutimet për këtë çështje po vazhdojnë. Shpresojmë që të arrihet një marrëveshje, me të cilën Presidenti të ndjehet mirë”, – tha ai.

Zonja Fihn e organizatës ICAN i tha Zërit të Amerikës se do të ishte e rrezikshme për Shtetet e Bashkuara që të tërhiqeshin nga marrëveshja.

“Unë mendoj se do të ishte tepër shqetësuese, në se Shtetet e Bashkuara do të tërhiqeshin nga një marrëveshje me Iranin, e cila do të funksiononte; një marrëveshje e cila do ta ndalonte Teheranin të zhvillojë armë bërthamore dhe që do t’i vinte masa të forta verifikimi më të forta se ndaj çdo shtet tjetër. Do të ishte shqetësim për sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të gjithë botën, në se marrëveshja dështon dhe kjo do t’i çonte një mesazh shqetësues një vendi si Koreja e Veriut”, tha zonja Fihn.