Campos: Mbappe një ditë do të luajë te Real Madridi dhe do të fitojë më shumë Topa të Artë se Ronaldo

E publikuar: 25/12/2018 05:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-drejtori sportiv i Monacos, Luis Campos ka folur fjalë të mëdha për talentin francez të Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe.

Campos ka thënë se e sheh Mbappen në të ardhmen të luaj për Real Madridin dhe të fitojë më shumë Topa të Artë se Cristiano Ronaldo.

“Kylian përfaqëson shampanjën e futbollit, të cilin e pëlqejmë ta shohim dhe si futbollist i nivelit të lartë e shoh atë duke veshur fanellën e Real Madridit”, ka thënë fillimisht Campos për Telefoot.

“E shoh te Real Madridi sepse është një klub i bërë për trupin e tij, ku lojtarët e mëdhenj duan të shkojnë”.

“Në të ardhmen, unë imagjinoj veten duke ndjekur një ndeshje në Santiago Bernabeu dhe duke shijuar shfaqjen që Mbappe mund të ofrojë”.

“Në ditët e sotme, ai është më vendimtar sesa Neymar dhe duke pasur parasysh moshën e tij, ai do të jetë shumë më i mirë se Cristiano Ronaldo”.

“Unë e shoh atë duke fituar më shumë Topa të Artë”, përfundoi ish-drejtori sportiv i Monacos.

Mbappe ka shënuar 16 gola deri më tani në këtë sezon në 19 paraqitje në të gjitha garat me PSG-në. /Telegrafi/