Cakaj pas bisedës me Haradinajn: Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Kosovën

E publikuar: 13/06/2020 18:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla.

Për sa i përket telefonatës, Kryediplomati Cakaj është shprehur, me anë të një postimi në facebook, se me homologen kosovare kanë theksuar vullnetin e përbashkët për ta zhvilluar marrëdhënien mes dy vendeve tona në shkallë edhe më të larta nëpërmjet disa projekteve konkrete.

“Shqipëria do të vazhdojë mbështetjen e pakursyer për Republikën e Kosovës në çdo fushë të politikës së jashtme e për forcimin e faktorit shqiptar në përgjithësi.”- u shpreh Cakaj në postim.

Në përfundim, Cakaj ka ftuar homologen e tij në Tiranë, për konkretizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve./FrontOnline/