Cakaj: Marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke

E publikuar: 27/02/2019 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendësministri dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Gent Cakaj ka deklaruar se marrëveshja finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të sjellë si rezultat njohje reciproke ndërmjet dy shteteve. Këto komente, Cakaj i bëri në Shkup, ku zhvilloi një vizitë zyrtare me autoritetet e Maqedonisë së Veriut.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria presin që në qershor në Samitin e Bashkimit Evropian të konfirmohet vendimi për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian për të dy vendet, u tha në takimin e Cakajt me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

Dimitrov ka falënderuar homologun e tij shqiptar Gent Cakaj për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Maqedonisë së Veriut gjatë gjithë rrugëtimit në procesin e deritanishëm drejt integrimeve euroatlantike madje duke u bërë vendi i tretë që ratifikon marrëveshje për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO.

“Iu falënderova për shpejtësinë që Kuvendi i Shqipërisë tregoi në ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Folëm edhe për situatën në rajon. Suksesi i një shteti në rajon nënkupton sukses për të gjithë rajonin. Shpresojmë që në qershor do të na pres një gëzim i përbashkët”, tha Dimitrov.

Ndërkaq, Cakaj në Shkup ka theksuar se rrugëtimi i përbashkët i dy vendeve fqinje drejt integrimeve euroatlantike paraqet një shtytje për zhvillimin e rajonit.

“Ne besojmë se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe rrugëtimi i përbashkët drejtë anëtarësimit në BE, është një vlerë e shtuar për zhvillimin e rajonit në përgjithësi, fuqizimin e bashkëpunimit ndëretnik dhe ndërshtetëror në përgjithësi”, u shpreh Gent Cakaj.

Ndërkaq të pyetur se si e shohin idenë për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, shefat e diplomacive së të dy vendeve thanë se kjo çështje i përket Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

“Konsiderojmë se çfarëdo lloj marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet të “përfundojë me njohjen e ndërsjellë, që siguron perspektivë evropiane dhe ulëse në OKB për Kosovën, ndërkohë që përmbajtja e marrëveshjes dhe diskutimet e tjera natyrisht se këto do të duhet të konsumohen në hapësirat institucionale në Kosovë dhe mua nuk më takon të jap një përgjigje më substanciale për këtë çështje”, ka thënë ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm në Shqipëri, Gent Cakaj, duke shtuar se “Shqipëria ka një rol “suportues” mbështetës për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”.

Në të njëjtën vijë ka qenë edhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov.

“Si e para ne do të mbështesim zgjidhjen për të cilën do të arrijnë ujdi Beogradi dhe Prishtina sepse problem është atje, dhe e dyta që është me shumë rendësi do të mbështesim atë zgjidhje e cila do të sjell stabilitet rajonal dhe vizionin që i gjithë rajoni të ecë drejt Evropës”, ka nënvizuar Dimtrov.

Gjatë qëndrimit dy ditësh në Shkup, Cakaj është takuar me drejtuesit e partive politike shqiptare si dhe zëvendëskryeministrin për çështje të integrimeve evropiane Bujar Osmani.