Cakaj: Dy vendet tona do të flasin njëzëri për shqiptarët në rajon dhe dialogun Kosovë-Serbi

E publikuar: 04/12/2020 17:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gent Cakaj, ministri në detyrë për Punët e Jashtme dhe Europën i Shqipërisë, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria do të kenë qëndrim të njëjtë për të gjitha politikat e jashtme në rajon dhe më gjerë.

Ai po ashtu ka thënë se shqiptarët në Serbi dhe lufta e tyre për të drejta do të jenë në fokusin e të dyjave vendeve

“Kosova dhe Shqipëria shprehin edhe njëherë qëndrimin se duhet të ketë një politikë të unifikuar dhe harmonizuar. Kemi pasë përparim serioz sa i përket krijimit të mekanizmave për politikë të unifikuar. Kosova dhe Shqipëria po marrin përgjegjësi të shtuara sa i përket mbështetjes së faktorit shqiptar në rajon”.

Cakaj në një konferencë të përbashkët me ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka njoftuar se janë nënshkruar tri marrëveshje, sipas tij, shumë të rëndësishme për shqiptarët në rajon.

Kosova dhe Shqipëria kanë krijuar një fond të përbashkët me të cilin do t’i mbështesin financiarisht partitë shqiptare në Mal të Zi dhe krijimin e një liste të përbashkët të tyre.

Kryediplomati shqiptar ka thënë se dy shtetet kanë filluar një aksion diplomatik për rritjen e ndjeshmërisë për çështjen e pasivizimit të shqiptarëve në Medvegjë me të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare.

Ndërkaq, për dialogun Kosovë-Serbi, Cakaj tha se Shqipëria mbështet vetëm një marrëveshje që i sjell Kosovës njohjen nga Serbia dhe nuk ia cenon integritetin territorial.

“Kosova dhe Shqipëria s’do mend që duhet të flasin njëzëri jo vetëm ndaj zhvillimeve në rajon por edhe më gjerë. Qasja e BE-së ndaj Kosovës është krejt e padrejtë për liberalizimin e vizave. Kosova i ka plotësuar kushtet dhe një e drejtë e tillë i është dhënë vendve që mbase s’i kanë plotësuar kriteret aq sa Kosova. Po ashtu, mosveprim i BE-së në dialog bën që të humbë besimin jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon”.

SHPËRNDAJE