Bytyqi: Do ta bëjmë Prishtinën sociale

E publikuar: 30/09/2017 20:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nisma për Kosovën ka hapur fushatën zgjedhore në kryeqytet, ku ju kanë premtuar prishtinaseve qytet të dinjitetshëm, punësim, qytet të pastër e pa kaos urbanistik.

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj tha se në Prishtinë po vijnë me një kandidat dhe me një ekip që është shpresë dhe alternativë për Prishtinën.

“Po vijmë në Prishtinë me një kandidat dhe me një ekip, e cila është e mishëruar me një vizion dhe një platformë politike që po kthehet në një shpresë dhe në një alternativë, jo vetëm për Prishtinën, por për Kosovën. Nisma social-demokrate si vizion dhe koncept ka nisur një rrugë të vështirë, jo të letë, por vendimtare për të ardhmen e vendit tonë. Në njërën anë keni grupe politike që çelësin e arritjes së suksesit të tyre e mbështesin në premtime dhe në mashtrime, premtime mashtruese dhe në anën tjetër e keni grupin tjetër që çelësin e suksesit të punës së tyre për të arritur vota sa më shumë, e mbështesin në garën për fyerje, sharje, e shkatërrime. Në mes të këtyre dy koncepteve është Nisma për Kosovën, objektivë e të cilës është t’i ofrojë njerëzit, t’i bashkojë”, tha Limaj, raporton KP.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, tha se Prishtina dhe prishtinasit kanë nevojë për një parti social-demokrate.

“Si qyteti i Prishtinës, si qytetarët e saj kanë nevojë shumë për një parti politike me parime të social demokracisë dhe në themelet e partive të social demokratëve, është lira. Liria për të menduar, liria për t’u shprehur, lira për të folur dhe për të shkruar dhe mbrojtur atë që mendon njeriu. Parim tjetër i social-demokracisë është drejtësia, drejtësia mbrohet nga njerëzit që marrin besimin dhe marrin mbështetjen nga qytetarët, nga njerëzit që marrin pushtet, por drejtësia mbrohet dhe duhet të mbrohet nga institucionet që në kushtetutë dhe ligje e kanë të drejtën për ta mbrojtur drejtësinë”, tha ai.

Ndërsa, Kandidati i Nismës për kryetar të Prishtinës, Shyqiri Bytyqi tha se Prishtinën do ta bëjnë sociale, ku qytetarët do ta ndjejnë kujdesin social.

“Ne e duam Prishtinën prandaj duam që qyteti jonë të jetë i dinjitetshëm, ai nuk mund të jetë i tillë pa pasur një vend pune, andaj ne e kemi bërë moton tonë një anëtar të punësuar për çdo familje. Ky është hapi i parë drejt dinjitetit shoqëror dhe shpërndarjes së barabartë të mundësive, solidarizimi që karakterizohet me programin tonë programor, fillon pikërisht këtu. Ne Prishtinën do ta bëjmë Prishtinë sociale, me maketin social qytetarët do ta ndjejnë kujdesin social. Shërbimet ofiqarë do të jenë pa pagesë, studentët do të shfrytëzojnë shërbimet më të lira. Porta hyrëse e qytetit do të simbolizojë krenarinë e qytetit tonë”, tha Bytyqi, raporton KosovaPress.

Po ashtu, pretendenti për Prishtinën tha se Pallatin e Rinisë do t’ia kthejnë në shërbim sportistëve të Prishtinës. Bytyqi gjithashtu tha se me politikën sociale demokrate do ta sjellë pastërtinë në qytetin e Prishtinës.

Aktualisht Shyqiri Bytyqi është Ministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës.