Bytyqi: Specialja më ka telefonuar, kam kërkuar ftesë me shkrim

E publikuar: 05/05/2019 23:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gazetari Nuhi Bytyqi, përmes një deklarate për media ka bërë me dije se ai nuk kam marrë asnjë ftesë zyrtare me shkrim nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Ka treguar se momentalisht gjendet në një turne të promovimit të librit të tij, “Libri i luftës” që është organizuar në Zvicër, në Austri dhe në Slloveni.

“Ditë më parë jam kontaktuar në telefon nga përfaqësues të kësaj gjykate të lartpërmendur. Edhe pas kërkesës sime, përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës nuk më kanë informuar se në çfarë cilësie më kanë kontaktuar mua. Kam kërkuar nga ta që për çdo kërkesë të tyre drejtuar meje të informohem zyrtarisht me shkrim. Në të njëjtën kohë, kam shprehur gatishmërinë për të thënë të vërtetën e veprimtarisë sime gjatë luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Bytyqi në këtë reagim.

Ai ka thënë se si gazetar dhe si qytetar i Republikës së Kosovës, ndihet krenar me veprimtarinë e tij, siç ka thënë, në shërbim të informimit të mirëfilltë për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Lufta çlirimtare e viteve 1998 dhe 1999 simbolizon sakrificën sublime dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, dhe është lufta vendimtare që bëri të mundur çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Prandaj, edhe njëherë e potencoj se unë jam i gatshëm që në çdo kohë dhe në mënyrë të hapur të dëshmoj për sakrificën dhe mbijetesën e popullit të Kosovës, të cilën unë dhe shumë kolegë të mi gazetarë e kemi prezantuar në mënyrë profesionale në ekranet televizive në mediat vendore dhe ato ndërkombëtare”, ka thënë më tej ai.

Nuhi Bytyçi, gazetar