Buxheti për 2017-tën zvogëlohet për 190 milionë euro

E publikuar: 17/10/2017 12:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë bërë më shumë se tri javë prej kur Qeveria e Kosovës i ka dhënë “dritën e gjelbër” rishikimit të buxhetit për vitin 2017, i cili do të dërgohet edhe në Kuvend për miratim.

Lidhur me këtë, sot anëtarët e Komisionit për Buxhet dhe Financa do të mbajnë mbledhjen e radhës në të cilën do të bëhet shqyrtimi në parim i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për këtë vit, shkruan Indeksonline.

Anëtari i këtij komisioni, Naser Osmani i cili vije nga radhët e LDK-së ka thënë për Indeksonline se buxheti është shkurtuar për qindra milionë euro.

“Sot e kemi në komision rend dite shqyrtimin e ligjit për rishikimin e buxhetit që ministri i Financave do ta shtroj me të gjitha ndryshimet të cilat janë bërë me këtë rast dhe do të shohim. Ajo që dihet është se ka shkurtime për 190 milionë euro që do të jetë më i vogël”, ka thënë Osmani.

Sipas tij, bëhet fjalë për të hyrat, kryesisht ka të bëj me mjetet që janë paraparë prej AKP-ja dhe nga klauzola e investimeve që janë zvogëluar.

Osmani ka shtuar se po ashtu duhet të arsyetohen disa shpenzime që për të janë më tepër politike dhe të paqarta, sidomos ato që prishën marrëveshjen me FMN-në e që ka të bëj me rritjen e shpenzimeve për kategorinë e veteranëve të luftës prej 26 milionë.

“Duhet pasur një argument të fuqishëm pse kjo rritje kaq e madhe për këtë kategori, pasi po kalon shuma prej 64 milionë për këtë kategori pa i përfshirë invalidët e luftës të cilët kanë 12 milionë. I frikësohemi asaj që e kemi parashikuar që buxheti për këtë kategori mund të shkoj në 90 milionë e që është një gjë shumë e keqe”, ka thënë tutje Osmani.

Ai ka bërë të ditur se po ashtu janë bërë shkurtimet kapitale diku rreth 44 milionë që janë për projekte të ndryshme.

Osmani ka theksuar se e arsyeton atë që obligimet kontraktuale duhet të plotësohen pavarësisht se kush është në qeveri e që kanë të bëjnë me rrugën për Shkup me vlerë 50 milionë euro që duhet të paguhet Bechtel Enca.

“Këto janë disa nga më të mëdhatë, po ashtu ka lëvizje të vogla në çdo ministri, janë prek, janë rishqyrtuar dhe janë bërë sistemime të reja, por te shohim ministri si po e arsyeton”, ka përfunduar Osmani. /Indeksonline/