Busulla.com: Intervistë me Shërbimin Publik të Vitit në Kosovë në edicionin e 7-të të ICT Awards

E publikuar: 10/05/2019 11:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sfida më e madhe që has edukimi sot është orientimi i studentëve dhe nxënësve drejt karrierës më të përshtatshme për aftësitë dhe preferencat e tyre.

Busulla.COM synon zgjidhjen e kësaj problematike duke ofruar monitorim dhe orientim bazuar në testime të Interesave, Vlerave, Aftësive, dhe Preferencave të secilit student.

Kjo platformë shërben gjithashtu si pikë takimi e studentëve dhe bizneseve, me qëllim përmbushjen e nevojave të të dy palëve.

PCWA: Çfarë zgjidhjeje ofron Busulla.com?

Sovan Berisha: Platforma zyrtare e MASHT-it, Busulla.COM, ofron mbështetje në procesin e këshillimit dhe orientimit në karrierë për përdoruesit. Për ta lehtësuar qasjen në platformë, ajo është e disponueshme si ueb faqe dhe si aplikacion mobil. Nxënësit, studentët dhe kandidatët e interesuar mund ta realizojnë njohjen e vetvetes përmes testeve të karrierës, siç janë: Interesat, Vlerat, Aftësitë dhe Preferencat (IVAP); Testi për Vlerësim të Potencialit dhe Testi Certifikues BasicCheck®.

Eksplorimi i botës së profesioneve është hapi i dytë në procesin e orientimit në karrierë. Në këtë hap kandidatët e kanë mundësinë të informohen rreth pagës mesatare, kërkesës së tregut të punës për profesion, njohurive dhe shkathtësive të kërkuara, nivelit të kërkuar të shkollimit, aktiviteteve dhe përgjegjësive etj. Gjithashtu, ofrohen video të secilit profesion, qëllimi i të cilave është njohja e kandidatit për së afërmi me ambientin e punës.

Identifikimi i shkollave dhe kolegjeve / universiteteve është hapi i tretë i procesit të orientimit në karrierë. Busulla.COM ofron modulin me të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit, për të cilat, ndër të tjera, ofrohen informata rreth drejtimeve, profileve, lëndëve dhe pagesës.

Identifikimi i vendeve të lira të punës dhe praktikës është moduli i platformës i cili aktualisht përmban rreth 3,000 shpallje për vende të lira të punës dhe praktikës. Bizneset mund t’i publikojnë shpalljet për vendet e lira të punës apo praktikës dhe përdoruesit kanë mundësi të aplikojnë përmes platformës.

Këshillimi online është hapi i fundit i procesit i cili administrohet përmes modulit Këshilltari online. Ky modul ofron këshilla rreth orientimit në karrierë, ndërmarrësisë, tregut të punës etj. Moduli po ashtu ofron forumin e diskutimit, videot e storieve të suksesit dhe këndin e pyetjeve të shpeshta.

Momente nga ndarja e cmimit ICT Public service of the year in Kosova🇽🇰, zbuluar nga Z. Gjergji Guri i cili shkoi për Smart Bits shpk & Ministria e Arsimit Shkencës dhe Tek ologjisë në Kosovë me Platformen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) për këshillim dhe orientim në karrierë, Busulla.COM

SB: Qasja në shërbimet dhe veglat e platformës Busulla.COM iu mundësohet nxënësve, studentëve, prindërve, mësimdhënësve, menaxhmentit të shkollave, Drejtorive Komunale të Arsimit, MASHT-it dhe bizneseve. Meqenëse platforma është ndërtuar në kuadër të projektit të MASHT-it për orientim në karrierë, fokusi primar janë nxënësit nga klasa e VIII deri XII dhe mësimdhënësit e lëndës Jeta dhe Puna të cilët e ligjërojnë modulin e Orientimit në Karrierë, për të cilin njëra ndër veglat më të rëndësishme të punës është platforma Busulla.COM.

PCWA: Sa është përdorur kjo platformë?

SB: Platforma është bërë funksionale në Nëntor 2017 për të gjitha shkollat e mesme të ulëta dhe të larta publike në Kosovë. Aktualisht atë e shfrytëzojnë rreth 65,000 nxënës, mirëpo ky numër po shtohet çdo ditë, duke pasur parasysh faktin që projekti është në fazën e shpërndarjes tek përdoruesit.

PCWA: Si u shërben studentëve?

SB: Nxënësve dhe studentëve platforma iu ofron mbështetje në administrimin e secilit hap të procesit të orientimit në karrierë. Ata e kanë mundësinë ta bëjnë njohjen e vetvetes, të mësojnë më tepër rreth profesioneve të përshtatshme, ta gjejnë shkollën apo kolegjin / universitetin e duhur, të gjejnë mundësi për angazhim në punë të rregullt apo punë praktike dhe të këshillohen online.

PCWA: Po bizneset si përfitojnë nga Busulla.com?

SB: Përfitimi më i vlefshëm për bizneset është qasja e lehtë në tregun e punëkërkuesve. Bizneset e kanë mundësinë të publikojnë shpallje për vendet e lira të punës në platformë dhe përmes kësaj të gjithë nxënësit të kenë qasje në shpallje. Bizneset, gjithashtu, mund të kërkojnë nga shkollat që nxënësve t’iu realizohet Testi Certifikues BasicCheck®, ashtu që ata të mund t’i rekrutojnë kandidatët më kompetentë dhe të përshtatshëm me pozitën e punës.

Për më tepër, bizneseve iu mundësohet bashkëpunim me shkollat në përgatitjen dhe përditësimin e standardeve të profesionit dhe materialeve konform kërkesave të tregut. Anketat në dispozicion lejojnë analizë të detajuar të nevojës për profile dhe kompetenca dhe shkathtësi të caktuara.

PCWA: Si mund të aksesohet shërbimi?

SB: Platforma është e disponueshme si ueb faqe dhe si aplikacion mobil për të gjitha pajisjet iOS dhe Android. Të gjitha palët e interesuara mund ta bëjnë regjistrimin vetvetiu për të fituar qasje në platformë. Qasja është e pakufizuar dhe si e tillë mund të bëhet në çdo kohë dhe lokacion.

PCWA: Cilat kanë qenë sfidat e implementimit të këtij projekti?

SB: Vlera më e madhe e platformës Busulla.COM qëndron në faktin që ajo ofron bazën shkencore për procesin e orientimit në karrierë dhe qasje të lehtë në informata. Prandaj, sfida më e theksuar gjatë gjithë procesit ka qenë sigurimi i të dhënave për institucionet e arsimit. Këto të dhëna janë mbledhur nga ekipi i kompanisë tonë, i cili ka bashkëpunuar për së afërmi me secilin institucion arsimor publik në vend.

PCWA: Të jesh Shërbimi Publik më i mirë i Vitit, çfarë do të thotë kjo për ju?

SB: Vlerësimi i Jurisë së Albanian ICT Awards për ta përzgjedhur platformën Busulla.COM fituese të çmimit Shërbimi Publik më i mirë i vitit 2018 në Kosovë është nder i madh për institucionet dhe stafin e angazhuar në projekt. Në të njëjtën kohë ky çmim konfirmon vlerën dhe rëndësinë e platformës në sistemin e arsimit në Kosovë. Padyshim që këtë të arritur do ta përdorim për të stimuluar edhe risi të tjera dhe më shumë punë përmes projektit.

PCWA: Po në të ardhmen çfarë mund të presim?

SB: Tashmë jemi në fazën e shpërndarjes së projektit tek përdoruesit dhe për këtë jemi shumë të kënaqur që numri i përdoruesve të regjistruar ka arritur në 65,000. Të gjithë këta përdorues e kanë mundësinë t’i shfrytëzojnë funksionet dhe modulet në dispozicion për të përfituar këshillim dhe udhëzim sa më të saktë në shtegun e tyre të karrierës. Përmes sistemit të arsimit në Republikën e Kosovës, platforma i mbështet të gjithë nxënësit nga klasa VIII deri në klasën XII në identifikimin e nevojave dhe kërkesave të tyre për edukim dhe orientim profesional.

Për shkak të natyrës gjithëpërfshirëse të platformës në këtë proces, në të ardhmen priten edhe shumë risi përmes veglave të reja të platformës, siç janë Ndërtuesi i CV-së, Portfolio Digjitale dhe jo vetëm. Synimi ynë është që Busulla.COM të gjejë përdorim sa më të gjerë edhe në të ardhmen nga të gjitha palët. Gjithashtu, për të siguruar përfitim sa më të gjerë të publikut, ne synojmë që platformën ta përdorin edhe individë të tjerë për orientim apo ri-orientim në karrierë. /PCWorld Albanian