Bushati: Nuk ka kushte shtesë. Vendimi, pozitiv për Shqipërinë

E publikuar: 27/06/2018 15:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një ditë pas vendimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në lidhje me negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë, kreu i diplomacisë Ditmir Bushati thotë se Tirana zyrtare e lexon këtë vendim njësoj si vendet anëtare të Unionit.

“U përgjigj pozitivisht rekomandimit për nisjen e bisedimeve dhe përcaktuan një hark kohor për këtë”, shprehet Bushati.

Por nëse ky vendim vlerëson arritjet e Shqipërisë, përse hapja e negociatave u shty për në qershor 2019?

“Është precedent i ngjashëm me Serbinë dhe Malin e Zi”, shprehet ministri i Jashtëm.

Ministri i Jashtëm pohon se Shqipërisë nuk i janë vendosur kushte shtesë për të plotësuar deri vitin e ardhshëm.

“Nuk ka asnjë kusht shtesë, por kërkohet thellim i reformave”, tha Bushati.

Por a është automatike hapja e negociatave në qershorin 2019 apo Shqipërisë do t’i duhet të kalojë përmes një vlerësimi tjetër?

“Në vjeshtë nis “screening”. Në vjeshtë do kuptohet më qartë hapat e tjerë që do të hidhen”.

Deri në qershor të 2019 Shqipërisë i është njohur e drejta të nisë paraprakisht së bashku me Brukselin, procesin e analizës së kapitujve për të cilat do të negociojë në të ardhmen, i njohur me termin “screening”. Bushati shpjegon përse kjo është thelbësore.

“Screening është esenca e hapjes se negociatave”, tha ministri.

Në lidhje me opozitën që i kërkon dorëheqjen, ministri i Jashtëm u përgjigj me një buzëqeshje./Top Channel