Bushati: Ndarja e Kosovës është ide serbe që u përkrah nga shqipfolësit!

E publikuar: 22/06/2020 23:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish ministri i Jashtëm dhe deputeti Socialist Ditmir Bushati i ftuar në emisionin “5 pyetje nga Babaramo” në Report Tv tha se nuk ka 15 kushte për Shqipërinë për nisjen e procesit të Integrimit, pasi PE nuk ka kompetencat dhe as kuadrin ligjor të vendos kushte për një vend kandidat si Shqipëria. Bushati tha se gjithçka drejtohet nga KE dhe vendet e BE dhe se janë disa detyra që duhen siguruar si reforma zgjedhore e Gjykata Kushtetuese apo ajo e Lartë që të përcaktojnë metodologjinë e integrimit por nuk janë dhe nuk ka as 7 dhe as 15 kushte.

“Kemi pasur disa rekomandime, një vendimmarrje nga BE që përcaktuan dhe një radhë apo etapë që duhet të ndiqen nga Shqipëria. Fillimisht përgatitet kuadri negociues që përcakton të gjithë procedurën dhe metodologjinë që udhëhiqet i gjithë procesi i integrimit. Më pas mbahet konferenca e parë ndërqeveritare. Për të dy këto etapa, BE në vendimin e marsit të 2020 ka përcaktuar një listë me detyra. PE nuk ka kuadrin dhe as kompetencën për të përcaktuar listën me detyra për një vend kandidat , pra nuk mund të flitet për një listë me kushte, por procesi është në ato shina që përcakton traktati. lista e detyrave që duhen përmbushur është e qartë dhe nevojitet bashkëpunim politik dhe mirëkuptim institucional. Bëhet fjalë për reformën zgjedhore, ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të latë, për ligjin anti-shpifje etj. Loja janë 7 apo janë 15 kushte është lojë me kungullesha dhe shkëputje të vëmendjes. në momentin Parlamenti Europian nuk ka një zë ligjor për këtë çështje pasi gjithçka drejtohet nga Komisioni Europian dhe vendet e BE”, tha Bushati.

Marrëveshja me detin, Bushati tha se nuk ka asnjë arsye se pse Shqipëria dhe Greqia të mos arrijnë një marrëveshje të mirë. Aktualisht deti në Shqipëri është i vdekur tha Bushati dhe duhet kjo marrëveshje për ta zhvilluar dhe për ta futur në zhvillimin ekonomik të vendit.  

“Për vite kemi pasur një qëndrim të ngurtë të palës greke për vite, pas shumë diskutimeve arritëm në një pikë që marrëveshje e 2009 që ishte e padrejtë për Shqipërinë dhe më pas ri-ulja në tryezë ishte një ogur i mirë, pasi synonte korigjinim e padrejtësive dhe të shkojmë drejt një marrëveshje në interes të dy palëve. Marrëveshja duhet  të siguronte hapësirën territoriale por edhe të shtratit kontinental dhe hapësirën ekonomike. Ajo që është interesante është se askush nuk flet për Malin e Zi, që ndodhet në të njëjtin pozicion si Greqia në raport me Shqipërinë. Deti sot për sot në Shqipëri për fat të keq është i vdekur dhe duhet kjo marrëveshje për ta zhvilluar dhe për ta futur në zhvillimin ekonomik të vendit. Fqinjët tanë janë para në këtë proces dhe ne nuk kemi pse të mbetemi pas”, tha Bushati.

Ndërsa në lidhje me ndarjen e Kosovës, Bushati u shpreh se kjo është një ide serbe, por që fatkeqësisht u përkrah nga shqipfolës. Sipas Bushatit ko ide nuk është e SHBA, duke iu referuar deklaratave të Grenell se kjo ishte një ide e John Bolton, ish shefi i sigurisë së Trump, por e Serbisë.

“Ndarja e Kosovës është një ide Serbe, fatkeqësisht vijoi të promovohej nga shqipfolës. Sot ka njerëz që janë tërhequr nga kjo ide sidomos pas deklaratave të Grenell dhe ajo çfarë pamë është se procesi i njohjes së Kosovës nuk avancoi, Serbia arriti të përçajë klasën politike në Kosovë dhe jo vetëm dhe brenda BE u krijuan disa të çara ndërkohë që ne ishim mësuar me një ndërhyrje shembullore të familjes euroatlantike dhe SHBA , ku punohej së bashku dhe arritëm të siguronim çlirimin e Kosovës dhe krijimi i shteti të tij. Të gjitha këto fitore me hapjen e debatit për kufijtë, por çbënin disa arritje historike një e nga një. Ne shqiptarët nuk duhet të vendosim për asnjë çast në kolateral arritjet tona historike. Para se të ikja nga ministër i Jashtëm kam marrë një telefonatë nga sekretari i jashtëm Pompeo në dhjetor të 2018 për çështje të tjera dhe në të gjitha takimet qëndrimi i SHBA ishte i qartë në këtë drejtim duke mos lënë asnjë shteg që mund të përdoreshin për t’i dhënë fund konfliktit mes Serbisë e Kosovës. Prandaj besoj se është ide serbe dhe jo nga SHBA“, tha Bushati./reporttv/