Bushati kujdeset për Thaçin, nuk e përsërit në Prishtinë qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve

E publikuar: 14/09/2018 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë i cili disa ditë më parë ishte shprehur kundër ndryshimit të kufijve, nuk e ka përsëritur këtë qëndrim në Prishtinë ku sot gjatë gjithë ditës ka takuar zyrtarët më të lartë të shtetit dhe politikanë opozitar. Duket se Ministri i Ramës është kujdesur që të mos e bezdis Hashim Thaçin të cilën ende nuk e ka takuar.

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati ka ripërsëritur përkrahjen e Shqipërisë në dialogun e Kosovës me Serbinë.

Por, Bushati që ishte i ftuar në emisionin Argument Plus, nuk ka dhënë qëndrim lidhur me ndryshimin e kufijve.

” Ky dialog është futur ne rrjedha politike, nga rrjedhat teknike që ishte në fillim. Unë kam dëgjuar me vëmendje të madhe analizën e politikanëve të Kosovës. Konstatoj se të gjithë janë të përcaktuar për të bërë më të mirën. Është një proces shumë i vështirë. Nuk ka mrekulli në këto procese. Përmes dialogut do të synohet normalizimi i marrëdhënies Kosovë-Serbi, që në fund nënkupton marrëveshje finale me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Jashtëm ka thënë se në dialogun me Serbinë duhet të ketë një konsolidim të brendshëm Kosova.

“Është e kuptueshme që në momentin kur të dy vendet futen në dialog të karakterit thellësisht politik, sirenat e alarmit qoftë edhe falso, shkaktojnë automatikisht një vëmendje të shtuar , jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet tjera të rajonit. Për një çështje të karakterit politik vëmendja e njerëzve është shumë e shtuar, përfshirë këtu edhe alarmet falso të cilat janë pjesë e një dialogu politik të komplikuar( shkëmbimi i territoreve). Për Kosovën është e rëndësishme konsolidimi i brendshëm”, ka thënë Bushati.