Burgjet e Kosovës larg standardeve evropiane

E publikuar: 07/11/2016 19:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjendja në burgjet e Kosovës vlerësohet të jetë larg standardeve evropiane, por nëse krahasohet me vendet e rajonit, Kosova qëndron më mirë.

Veprimtaritë e jashtëligjshme, kontrabanda dhe dukuritë tjera që hasen nëpër burgjet e Kosovës, megjithatë, vlerësohen se nuk janë në shkallën e gjendjes së rëndë që mbretëron në disa vende tjera fqinje.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Betim Musliu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se veprimtaritë korruptive brenda burgjeve dhe keqpërdorimet për të cilat edhe ka gjykime ndaj oficerëve duke kontrabanduar drogë, telefona e gjësende, tregojnë për gjendjen ekzistuese.

“Bazuar në gjetjet e vazhdueshme të Institutit të Kosovës për Drejtësi, si dhe një serie të hulumtimeve që i kemi bërë nëpër burgje, gjendja krahasuar me vendet e rajonit është më e mirë në Kosovë, por ende larg respektimit të standardeve ndërkombëtare të shërbimeve korrektuese. Shërbimi korrektues ende vazhdon me problemin e kontrabandës, veprimtarive korruptive, çka po e rrezikon sigurinë e burgjeve”,ka thënë Musliu.

Por, drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka bërë të ditur se buxheti i limituar i ndarë për këtë fushë nuk lejon që kushtet të përmirësohen, ndonëse, siç thotë ai, gjendja aktuale në burgjet e Kosovës është e kënaqshme.

“Gjendja aktuale në burgje është e mirë. Ne kemi buxhet të limituar, por jemi munduar që gjërat elementare, si: ushqimi, akomodimi, trajtimi shëndetësor, të jenë në nivel. Mendoj që ia kemi dalë, ndonëse kemi sfida. Por, nëse krahasohet me shumë vende tjera, qoftë rajonit apo edhe më gjerë, ne jemi mirë”.

“Qendra korrektuese për fëmijë është pilot projekt dhe kjo qendër korrektuese do të jetë në nivel të lartë, është projekt i Këshillit të Evropës dhe mendoj se do ta implementojmë”, ka thënë Zogaj.

Ndryshe, numri aktual i të burgosurve në Kosovë është 1,600 veta, dhe siç thotë Zogaj, së shpejti do të hapen edhe dy burgje, ai i Gjilanit dhe i Prishtinës. Me këto dy burgje të reja, sipas tij, do të evitohet mbipopullimi nëpër burgje.

Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, ka thënë se baza materiale e përcakton edhe gjendjen në burgje. Ai potencon faktin se buxheti për burgjet e Kosovës është i mangët.

“Krahasuar me vendet e rajonit, Kosova qëndron më mirë. Gjendjen e të burgosurve gjithmonë duan ta paraqesin në kontekstin negativ. Në përgjithësi, nuk është gjendja e keqe, por ka hapësirë për gjendje edhe më të mirë”, ka thënë Shala.

Edhe Isabelle Servoz Gallucci, shefe e zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, thotë se pas hulumtimeve të bëra nëpër burgjet e Kosovës, në bashkëpunim me komisionin për parandalimin e torturës, kanë dalë me vlerësimin se ka korrupsion dhe mungesë të trajnimeve të stafit dhe se do të përqendrohen në këto pika për të ndihmuar.

“Në bazë të vizitës që është bërë në vitin 2014, të cilin e ka bërë komisioni për parandalim të torturës, ka gjetur që niveli i keqtrajtimit të burgosurve ka rënë, por ka gjetur që korrupsioni në burgje apo mungesa e trajnimeve të stafit në burgje është në rritje”.

“Janë pikërisht këto rekomandime të Këshillit për Parandalim të Torturës të Komisionit Evropian që ky projekt të fokusohet duke u bërë një analizë më e thellë dhe do të hyhet në ato pika ku ka nevojë për të intervenuar” , ka thënë Galluci.

Gjendja në burgjet e Kosovës është riaktualizuar këto ditë, sidomos pas vdekjes së Astrit Deharit, një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili po mbahej në burgun e Prizrenit, në rrethana ende të pasqaruara. (REL)