Bullgaria mobilizohet, ushtria në kufirin me Maqedoninë

E publikuar: 14/05/2015 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri bullgar Bojko Borisov ka thënë se në rast të eskalimit të situatës në Maqedoni 90 mijë maqedonas me pasaportë bullgare do të mund të vijnë në Bullgari.

“Ushtria është në kufi dhe është duke u përgatitur, që mos dhashë Zoti nëse punët dalin prej kontrolli në Maqedoni dhe në rast eskalimi të situatës 90 mijë maqedonas që janë me nënshtetësi bulgare do të mund të vijnë në Bullgari,”- ka thënë Borisov.

Mediat bullgare bëjnë të ditur se Borisov tha këto komente në takimin e shpejtë që pati në parlamentin bullgar me kryetarin e Frontit Patriotik.

Grupi parlamentar Fronti-Patriotik ka kërkuar informacione nga kryeministri për gjendjen e sigurisë në Maqedoni dhe masat e marra.

“Me vëmendje të madhe e ndjekim situatën në Maqedoni dhe është mirë që nuk ka shtetas bullgar të vdekur,” ka komentuar ai.

Sipas kryeministrit bullgar 17 maji është dita kryesore për Maqedoninë për shkak të tubimit të paralajmëruar nga opozita maqedonase.

Borisov thotë se do të përgatiten punkte për njerëzit nga Maqedonia me pasaporta bullgare të cilët janë rreth 90.000.

“Ata të cilët janë me pasaporta bullgare rreth 90 mijë, do të mund të hyjnë në Bullgari. Ushtria është duke u përgaditur së bashku me forcat speciale dhe me njësitet për luftë kundër terrorizmit për kapjen e terorristëve në terrenet malore”, shtoi Borisov.