Bullgaria i rikthehet gjuhës dhe identitetit maqedonas

E publikuar: 04/05/2020 14:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bullgaria sërish ka aktualizuar kontestin me Maqedoninë e Veriut, lidhur me identitetin, gjuhën maqedonase dhe të drejtat e pakicave.

Madje, siç është bërë e ditur, në mbledhjen e 25 marsit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Këshillit Evropian, kur u vendos për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, Sofja ka arritur të përfshijë edhe një dokument, përmes të cilit, veç tjerash i kërkon Shkupit “që të ndalojë çdo mbështetje për organizatat që deklarojnë veten pakicë maqedonase në Bullgari”.

Ajo gjithashtu kërkon që në të gjitha dokumentet e BE-së dhe kornizën e bisedimeve, gjuha maqedonase të përcaktohet si gjuha e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, ka deklaruar për mediat në Sofje se maqedonishtja është formuar në vitin 1945 nga një dialekt i gjuhës bullgare dhe gjuhës serbe. Ajo ka kërkuar që Shkupi të pranojë realitetin historik dhe të mos keqpërdor çështjet e ndjeshme mes dy vendeve për fushata zgjedhore.

“Ne kemi qëndrim të qartë sa i përket Maqedoninë së Veriut. Çdo herë do t’i mbështesim, por kushtet i kemi të qarta, ato nuk kanë ndryshuar…Ka shumë dokumente të shkruara në vitin 1945 se gjuha është formuar në bazë të një dialekti bullgar të pjesës perëndimore, vetëm se e ndryshuan pak gramatikën, shtuan disa gjëra të një shteti tjetër (Serbisë)… Ne kemi interes që edhe ata ta pranojnë historinë dhe njëkohësisht edhe në të pranojmë realitetin”, ka deklaruar shefja e diplomacisë bullgare, Zaharieva.

Bullgarët kanë kontestuar në vazhdimësi edhe prejardhjen e Goce Dellçevit dhe të Kërste Misirkovit, dy personaliteteve të njohura që për maqedonasit konsiderohen si figura të rëndësishme të historisë maqedonase, njëjtë sikur që konsiderohen edhe për bullgarët.

Por, një deklaratë e profesorit Denko Maleski, këshilltar i presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Maleski, që ka qenë edhe ish-ministër i Jashtëm dhe ish-ambasador në OKB, ka thënë për mediat bullgare se maqedonasit duhet të pranojnë realitetin se këto dy personalitete kanë qenë bullgarë dhe se një kohë maqedonasit dhe bullgarët kanë qenë një komb.

“Sigurisht se qëndroj pas asaj që kam thënë sepse janë fakte historike, ato që unë i quaj histori objektive, dhe ne nuk mund t’i shpëtojmë atyre fakteve sepse thjesht do të komplikojmë situatën në mënyrë që të ekzistojë rreziku që skenari grek të na përsëritet”, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, profesori Denko Maleski.

Presidenti Stevo Pendarovski është distancuar nga deklarata e tij, por jo edhe nga angazhimi i tij si këshilltar duke theksuar se çdo kush ka të drejtë të thotë qëndrimin e tij për raportet mes dy vendeve.

Duke komentuar deklaratën e tij se vendit mund t’i përsëritet skenari grek, Pendarovski ka thënë se “nëse çmimi për të hyrë në Bashkimin Evropian është të deklarohemi se ne nuk jemi maqedonas dhe të themi se gjuha jonë është ndryshe nga gjuha maqedonase, atëherë nuk kemi nevojë për Bashkimin Evropian”.

Drejtuesit e partive politike ndërkohë kanë përkujtuar, të hënën, Goce Dellçevin në 117 vjetorin e vdekjes. “Dellçevi ka qenë zemra e organizatës revolucionare maqedonase, i cili luftonte për autonomi të plotë politike të Maqedonisë dhe të maqedonasve. Ai paraqet simbol uniteti për pavarësi”, ka shkruar në facebook, ish kryeministri Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Por, njohësit e çështjeve ndërkombëtare kërkojnë maturi nga institucionet që kontestet të zgjidhen me dialog dhe pa rrezikuar procesin e integrimit evropian të vendit. Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane thekson se dy shtetet në kuadër të bisedimeve për anëtarësim duhet të punojnë për kapërcimin e dallimeve, që çështjet që kanë të bëjnë me identitetin të mos pengojnë këtë proces.

“Nuk besoj se kërkesat e Bullgarisë, të cilat ajo po i bën aktualisht, do të hyjnë në kornizën e bisedimeve. Unë dyshoj se shumë vende do të pajtoheshin të përfshijnë çështje të identitetit, megjithëse duhet të jemi të vetëdijshëm se ne dhe Bullgaria do të duhet të punojmë për një numër çështjesh”, thotë Kacarska.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria më 1 gusht të vitit 2017 kishin nënshkruar një marrëveshje për fqinjësi të mirë ndërsa kishin formuar edhe komisione të përbashkëta për kapërcimin e dallimeve historike, por dallimet mes tyre mbetet ende pa zgjidhje edhe gati tre vjet nga nënshkrimi i dokumentit që ishte vlerësuar si historik.