Buffon në fushë deri 40 vjeç, më pas trajner i Kombëtares

E publikuar: 31/03/2016 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në moshën 38-vjeçare, Gianluigi Buffon po përjeton një rini të dytë. Një garanci për Juventusin dhe për përfaqësuesen italiane. Megjithatë, i vetëdijshëm se koha nuk është më në krahun e tij, portieri e ka të qartë projektin për të ardhmen. Edhe dy vjet në fushat e lojës, për t’u tërhequr më pas nga futbolli i luajtur. Numri 1 bardhezi zbuloi gjithçka rreth planeve të tij.

“Pas këtij viti do të luaj edhe për dy sezone të tjerë dhe më pas do të tërhiqem. Nuk dua të luaj pas të 40-ave. Por, synoj që edhe në moshën 40-vjeçare, të paraqitem në fushë njësoj si tani”.

Në momentin kur do të vendosë të varë dorezat në gozhdë, Buffon e ka të qartë se çfarë do të bëjë dhe futbolli pritet të mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së tij.

“Kam fituar shumë eksperiencë nga karriera ime, por nuk dëshiroj që të bëhem trajner. Më pëlqen më tepër roli i seleksionuesit, një detyrë si trajner i një ekipi Kombëtar. Jam ambicioz. Nëse e nis një punë, qëllimi është të arrij gjithmonë lart. Pa këtë karakteristikë nuk do të isha më i gjallë”.

Gardiani duket se i ka përcaktuar destinacionet e ardhshme, ndërsa pranon se për aq kohë sa do të luajë, do të mbrojë vetëm ngjyrat e Juventusit.

“Do të shkoja në vende si Shtetet e Bashkuara apo Kina, që kanë popullsi të madhe dhe shumë potencial. Pas një dekade këto shtete mund të realizojnë gjëra të rëndësishme. Por, për aq kohë sa do të luaj, do të qëndroj te Juventusi, edhe nëse dikush tjetër më ofron dyfishin e rrogës. Krenohem që jam pjesë e këtij klubi dhe ajo që ka më tepër rëndësi janë vlerat, të cilat sot duken disi jashtë mode”.