Brukseli kundërshton rihapjen e negociatave për Brexit

E publikuar: 12/12/2018 10:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Angela Merkel dhe udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Europian përjashtuan mundësinë për më shumë negociata për Brexit, por pranuan të kërkojnë mënyra për t’u ofruar më shumë siguri britanikëve, pasi Theresa May mund të humbë rëndë në një votim parlamentar.

Me më pak se katër muaj të mbetur, deri sa Mbretëria e Bashkuar të largohet nga BE më 29 mars, marrëveshja e Brexit e May-t është në rrezik, duke hapur perspektivat për një Brexit- pa marrëveshje, gjë që shikohet si kërcënim për ekonominë britanike.

Një ditë pas tërheqjes nga votimi, May nxitoi në Hagë për mëngjes me Kryeministrin holandez Mark Rutte, pastaj në Berlin për t’u takuar me kancelaren Merkel, ndërsa në mbrëmje mbërriti në Bruksel, në një takim të planifikuar më herët.

Mesazhi nga BE ndaj kryeministres Theresa May ishte i qartë: Mund të japim garanci ligjore për atë se si interpretohet traktati i daljes, por nuk do të pranojmë rihapjen e vetë tekstit.

“Është e qartë se 27 vendet e BE-së duan të ndihmojnë në këtë situatë, por pyetja është se si”, tha Donald Tusk, i cili do të kryesojë një samit të BE në Bruksel të enjten dhe të premten.

Sipas dy burimeve, Merkel i tha grupit të saj të konservatorëve gjermanë se nuk do të kishte më negociata, por po bëheshin përpjekje për t’i dhënë garanci Britanisë.