Brukseli: BE të përgatitet për një bashkëveprim të COVID-19 me gripin sezonal

E publikuar: 15/07/2020 22:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bashkimi Europian mbetet i ndjeshëm në rast të një vale të dytë të pandemisë së COVID-19 dhe duhet të përgatitet për të përballuar një bashkëveprim me gripin sezonal në vjeshtë, theksoi sot Komisioni Europian.

“Virusi është gjithmonë mes nesh dhe po vazhdon të përhapet”, theksoi zëvendëspresidenti i institucionit, Magaritis Schinas në një konferencë shtypi.

“Vatra gjithnjë e më të mëdha, të lokalizuara në disa shtete, janë sinjalizuar. Përgatitja është thelbësore, kryesisht para muajve të vjeshtës dhe dimrit”, theksoi komisionerja për Shëndetësinë, Stella Kyriakides.

“Ne duhet të mbrojmë ekonomitë tona, shoqëritë tona dhe qytetarët tanë kundër një vale tjetër, si ajo që kemi përjetuar në muajt e kaluar dhe kundër bashkëveprimit të gripit sezonal me COVID-19. Unë e quaj këtë një efekt koktejl”, nënvizoi ajo.

“Është në përgjegjësinë tonë që të jemi plotësisht të përgatitur. Nuk është momenti për të ulur gadishmërinë tonë”, shtoi ajo.

Ajo u kërkoi 27 vendeve anëtare të BE-së një veprim të fortë dhe të përbashkët duke i siguruar për mbështetjen e Komisionit në detyrën e tyre, raporton ATSh.

Shëndeti është një kompetencë kombëtare dhe Komisioni Europian vetëm mund të bëjë rekomandime, që Kyriakides do t’i prezantojë dhe do t’i mbështesë gjatë një takimi virtual të ministrave të Shëndetësisë të BE.

Komunikata e prezantuar sot nga të dy komisionerët këmbëngul në veprimet e nevojshme për të përmirësuar përgatitjen dhe koordinimin. Ajo kërkon një mbështetje për pakicat dhe personat më të ndjeshëm dhe masa për të zvogëluar barrën e gripit sezonal.

“Ne duhet të mbrojmë ekonomitë tona, shoqëritë tona dhe qytetarët tanë kundër një valë të re, si ajo që kemi përjetuar në muajt e kaluar dhe duhet të shmangim përgjithësimin e kufizimeve”, nënvizoi Margaritis Schinas.

Komisioneri refuzoi çdo koment për situatat kombëtare.

“Nuk është momenti për të bërë vlerësime se çfarë ka shkaur mirë dhe çfarë jo. Ne jemi në betejë, në veprim. Momenti i bilanceve do të vijë menjëherë”, konfirmoi ai.

“Por, ne kemi nxjerrë mësime nga kjo që ka ndodhur. Fillimi i krizës nuk ishte momenti më i mirë për Europën. Shtetet anëtare kanë reaguar nën presion dhe kanë marrë masa të përqendruara në prioritetet kombëtare. Por vëzhgimi i ndërvarësisë u bë shpejt pas kësaj faze të mungesës së koordinimit. Njerëzit kanë treguar se ata presin më shumë nga Europa dhe kjo është pozitive”, nënvizoi ai.