Britania merr status special në BE

E publikuar: 20/02/2016 09:51
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas diskutimesh të gjata në samitin dyditor të Brukselit në lidhje me paketën e reformimit të BE-së dhe qëndrimit të Britanisë së Madhe, është arritur marrëveshja.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian, Donald Tusk, njoftoi mbrëmjen e së premtes arritjen e marrëveshjes, sigurisht duke mbajtur kështu Britaninë në bllokun e vendeve europiane.

Marrëveshja, siç njoftoi ai ka fituar mbështetjen unanime të të gjithë vendeve anëtare të BE-së. Londra fiton një status special në Union. Kryeministri britanik David Cameron doli para gazetarëve në Bruksel pak pasi u bë publik lajmi duke u shprehur: “Më në fund marrëveshja u arrit.

Për një periudhë kohe ne e kemi nxjerrë Britaninë jashtë një Europe që po bëhet gjithnjë e më e ngushtë. Britania nuk do të jetë kurrë pjesë e një Europe të përqëndruar. Falenderoj të gjithë liderët për qetësinë e treguar, vullnetin dhe asistencën e tyre”.

Tashmë, kryeministrit Cameron i mbetet të kthehet në Londër nga Brukseli, ku mëngjesin e së shtunës do të zhvillojë mbledhjen urgjente të kabinetit qeveritar për të njoftuar nisjen e fushatës së referendumit të thirrur në vendin e tij, por këtë herë thirrja do te jetë për të votuar në qershor “pro” qëndrimit në Bashkimin Europian. Marrëveshja është për një periudhë 7-vjeçare dhe do të përfshijë ndryshimin e traktateve të BE-së.