Britania dhe parajsat fiskale të “Paradise Papers”

E publikuar: 11/11/2017 19:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Disa nga emrat më të famshëm të botës, që nga Mbretëresha Elizabeth dhe deri tek anëtari i grupit “U2”, Bono, shfaqen në të dhënat e mbi 14 milionë dokumentave të kompanive të përfshira në Parajsat Fiskale. Vendi që përmendet më shumë është Britania, e cila ka rregulla të dobëta në këtë drejtim duke u shndërruar kështu në epiqendër të kësaj industrie të fshehtë. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Evropian është gjithashtu një faktor rëndues.

Këngëtari kryesor i grupit “U2”, Bono, përdori një kompani në Maltë, ku taksat janë të ulëta, për të investuar në një qendër tregtare në Lituani.

I mirënjohur për fushatën kundër varfërisë, grupi muzikor irlandez është kritikuar më parë për manovrimet me taksat. Nuk ka ndonjë tregues se Bono ka vepruar ilegalisht.

Por, dërgimi i fitimeve në parajsa të fshehta fiskale nuk ndihmon publikun.

“Këto janë para të humbura për shëndetësinë, arsimin, dhe shërbimet jetësore publike”, thotë Murray Worthy, i organizatës “Global Witness”.

Evropa kërkon t’i vendosë në listën e zezë vendet që nuk bashkëpunojnë për transparencën financiare.

“Nëse vendet nuk përmbushin detyrimet, do të na duhet t’u vendosim sanksione”, thotë Ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.

Shumë nga të pasurit e botës i ruajnë paratë e tyre në vendet që janë territore britanike.

“Duam që njerëzit të paguajnë taksat”, reagoi Kryeministrja britanike Theresa May.

Ka pikëpyetje për këtë angazhim, në veçanti ndërsa shtohet pasiguria ekonomike.

“Që kur u votua për Brexit, qeveria ka qenë shumë më pak strikte ndaj territoreve britanike”, thotë Duncan Hames, i organizatës “Transparency International”.

Vëmendja nuk është përqëndruar vetëm tek shmangia e taksave. “Transparency International” thotë se edhe brenda vetë Britanisë, legjislacioni i tatimit shfrytëzohet për të pastruar pasuritë e paligjshme. Në një raport të ri thuhet se p.sh. vetëm 6 persona janë punësuar si mbikqyrës të 4 milionë kompanive.

“Shqyrtuam vetëm rreth 50 skema të njohura korrupsioni dhe pastrimi parash. Në zemër të kësaj skeme, zbuluam mbi 750 kompani britanike, me një vlerë mbi 80 miliardë dollarë”, thotë zoti Hames.

44 nga këto kompani ishin të regjistruara zyrtarisht në një kuti të vetme postare, në një firmë postare në Londrën qendrore. Zoti Hames thotë se këto lloj firmash janë një dobësi kryesore e sistemit.

“Është si një fabrikë kompanish; një vendndodhje e vetme ku janë regjistruar mijëra e mijëra kompani”, tregon zoti Hames.

Nuk ka patur akuza për korrupsion apo pastrim parash ndaj firmave postare. Pronarët i thanë Zërit të Amerikës se ndjekin me përpikmëri të gjitha ligjet britanike.

Por, me një defiçit prej 100 miliardë dollarësh pasurie të paligjshme që kalon përmes Londrës çdo vit, kritikët thonë se legjislacioni duhet shtrënguar me urgjencë.