Brenda 4 javësh 608 mërgimtarë të infektuar me Covid-19 ​u kthyen nga Kosova në Gjermani

E publikuar: 04/08/2020 20:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani, ka njoftuar se vetëm brenda 4 javësh në territorin e Gjermanisë nga Kosova kanë shkuar 608 persona të infektuar me COVID-19.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani u ka bërë thirrje mërgimtarëve që të respektojnë rekomandimet shëndetësore, dhe po ashtu sapo të hyjnë në Gjermani t’u nënshtrohen testeve si dhe i ka paralajmëruar ata që nëse nuk i bëjnë këto teste do të ballafaqohen me masa të ashpra nga autoritetet gjermane.

Ky është njoftimi i plotë:

Të dashur Bashkatdhetarë!

Në bazë të numrave të fundit të hartuar nga Robert Koch Institut, në katër javët e kaluara në territorin e Gjermanisë nga Kosova kanë ardhur 608 persona të infektuar me COVID 19. Të gjithë këta shtetas tanë (me shtetësi të Kosovës, me shtetësi të dyfishtë apo me shtetësi të Gjermanisë) që kanë qëndruar në vendlindje paraqesin numrin më të lartë të të infektuarve që janë kthyer në Gjermani pas pushimeve. (Pasuar nga Serbia me 227 persona, Turqia 166, Bosnja e Herecegovina 105 etj.).

Ju lutemi të bëni kujdes gjatë pushimeve në Kosovë dhe të zbatoni udhëzimet e Institut Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Apelojmë pokështu që posa të futeni në territorin e Gjermanisë të bëni testet- në aeroporte dhe vendbanimet ku jetoni. Përndryshe do të ballafaqoheni me masa të ashpra nga autoritetet gjermane.

Ruajeni veten dhe të afërmit tuaj: Distancë, Maskë, Higjienë!

Me respekt,

Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani