Braathu: Kosova vend i vogël për kaq shumë raste të dhunës në familje

E publikuar: 29/11/2018 21:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me misionin e OSBE-së në Kosovë, kanë mbajtur tryezën përmbyllëse mbi “Rolin e medieve në raportimin e dhunës në familje”.
Me këtë rast, ambasadori i OSBE-së, Jan Braathu, tha se e Kosova është një vend i vogël për të pasur një numër kaq të madh të dhunës duke vlerësuar rolin e mediave në luftimin e saj.

“Për rastet e dhunës në familje kemi mësuar nga mediat, sikur ju mos të kishit raportuar nuk do ishin raportuar fare, ndoshta OSBE-ja do ta dinte, por njerëzit në Kosovë duhet ta dinë dhe duhet të reagojnë, prandaj mediat kanë një rol shumë të rëndësishëm. Ne në OSBE duam të ju mbështesim ju për të raportuar në këto raste mjaft të vështira. 1128 raste janë raportuar në Policinë e Kosovës për dhunën në familje, dhe ky është një numër i madh për një vend kaq të vogël si Kosova”, tha Braathu.

Ndërsa, në fjalën e saj, kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, tha se OSBE-ja ka qenë gjithmonë kontribuuese përkrah mediave, për të ndihmuar në raportimin e dhunës në familje dhe jo vetëm.

“Një ndër fushat ku OSBE-ja ka qenë gjithmonë kontribuuese dhe përkrahëse e pazëvendësueshme është edhe zhvillimi i mediave të lira dhe lirisë së të shprehurit, si dhe promovimi i të drejtave dhe i barazisë gjinore në përgjithësi, e me theks të veçantë angazhimin dhe luftimin e dhunës në familje. Si rezultat i kësaj pune dhe kontributi shumë të rëndësishëm për në po e mbajmë sot edhe këtë punëtori fokus i së cilës është roli i mediave në raportimin e dhunës në familje”, tha ajo.

Në anën tjetër, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve serbë në Kosovë, Budimir Niciq, foli për punëtorinë që organizata e tij e ka mbajtur në Graçanicë për gazetarët e komunitetit serb dhe rëndësinë e raportimit të dhunës në familje.

Në këtë tryezë u prezantua edhe udhëzuesi për gazetarë “Raportimi për dhunën në familje”, i botuar nga OSBE-ja, me ç’rast ambasadori Braathu shprehi kënaqësinë që në kuadër të 16 ditëve të aktiviteteve kundër dhunës në familje, po prezantohet ky udhëzues, i cili, sipas tij, do t’iu vijë në ndihmë të gjithë gazetarëve, të cilët, përmes punës së tyre do mund të ndërgjegjësojnë shoqërinë në parandalimin e kësaj dukurie./Kallxo