Borxhlinjve të mëdhenj të tatimit në pronë do t’u bllokohen xhirollogaritë

E publikuar: 31/03/2015 09:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Personave që kanë mbi 5 mijë euro borxh nga tatimi në pronë, Komuna e Prishtinës do t`ua bllokojë xhirollogaritë.
Megjithëkëtë, në komunë të hënën kanë thënë se nuk e kanë një listë se sa është numri i personave të tillë, porse kjo metodë do të vazhdojë të aplikohet dhe se është në përputhje me ligjet dhe aktet nënligjore të Kosovës.

Shuma e borxhit, të cilin qytetarët ia kanë komunës për tatimin në pronë kapërcen 30 milionë euro.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafazliu-Bejta, ka theksuar se bllokimi i xhirollogarive bankare është duke u bërë vetëm për personat që i obligohen komunës më shumë se 5 mijë euro. “Komuna e Prishtinës nuk ka evidencë specifike të llogarive të bllokuara, se të çfarë profili janë shfrytëzuesit e llogarive”, ka thënë Mullafazliu, teksa ka shtuar se llogaritë bankare identifikohen në bazë të borxhit për tatim në pronë.

“Kjo çështje është e lidhur me pronën, pa marrë parasysh se kush është pronari dhe se kjo e drejtë u jepet komunave në bazë të Ligjit për tatimin në pronë të paluajtshme dhe udhëzimit administrativ përkatës”, ka përfunduar ajo. Në një linjë me pushtetin komunal të Prishtinës, përkitazi me masat e tatimit në pronë, është edhe opozita prishtinase. Këtë e ka pohuar vetë shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, si partia me më së shumti këshilltarë komunalë, Sami Hamiti./express/