Borxhi i Telekomit ka shkuar në rreth 60 milionë euro

E publikuar: 26/04/2018 19:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ditën e 24 majit të 2017-ës, Agron Mustafa u prezantua si heroi i Telekomit në momentin kur vuri nënshkrimin mbi kontratën e re me kompaninë Z-Mobile, duke u deklaruar se po e shpëton Valën nga falimentimi.

Atëkohë, u tha se Telekomi do të paguajë vetëm shpenzimet gjyqësore, derisa sipas marrëveshjes, Z-Mobile do të marrë në shfrytëzim nga Vala edhe 100 mijë numra të rinj, si dhe shërbimin 3 dhe 4 G. Detajet e tjera mbeten edhe sot e kësaj dite të pazbuluara për publikun.

Bisedime të vështira i kishte quajtur Mustafa, derisa Z-Mobile deklaroi se hoqi dorë nga kërkimi i borxhit, raporton KTV.

Por pa kaluar një vit i plotë kalendarik, këto para po i kërkohen buxhetit të shtetit për ta shpëtuar Telekomin nga falimentimi.

Bordi i ri i Telekomit ia kërkoi qeverisë hiq më pak se 60 milionë euro.

Sipas dokumenteve që ka parë Kohavisioni, në këtë shumë janë llogaritur edhe 23 milionët, që Telekomi ia ka borxh Z-Mobilit për dëmet që, sipas Gjykatës së Arbitrazhit, iu shkaktuan shkaku i mosrespektimit të marrëveshjes së nënshkruar në 2008-ën.

Deri tash, Z-Mobilet i janë paguar mbi 7 milionë euro, prej të cilave 4.5 milionë euro janë kesh, ndërsa rreth 2 milionë euro janë zbritur nga 27 përqindëshi i të hyrave që Z-Mobile detyrohet t’i paguajë Telekomit.

Sido që të jetë, Z-Mobile dhe Vala nuk do ta rinegociojnë më kontratën e vjetër, e cila skadonte më 2019, pasi me kushte të njëjta kjo kompani do të vazhdojë të marrë shërbime nga Telekomi deri në 2027-ën.

Në anën tjetër, borxhi real që Telekomi ka ndaj furnitorëve është pak mbi 15 milionë euro, para të cilat ua ka borxh shërbimeve komunale, mediave dhe disa furnitorëve të tjerë.

Rreth 3 milionë euro llogaritët se janë borxhe ndaj konsumatorëve apo si kredi të pashfrytëzuara në llogari të klientëve.

Monako Telekom ka qenë ndërmarrja që kishte siguruar prefiksin +377 për numrat e valës dhe borxhi që Vala i ka kësaj kompanie, sipas regjistrit të muajit mars 2018, arrin vlerën në rreth 5 milionë euro.

0.45 centë në muaj i ka paguar Vala asaj për secilin numër që ka qenë aktiv, po kaq ka paguar edhe për mbi 200 mijë numrat e kompanisë Z- Mobile, andaj në regjistrin e borxheve që kompanitë tjera ia kanë Telekomit është edhe shuma pre 9 milionë eurosh që Dardafon.net apo Z-Mobile është dashur t’ia paguajë Valës.

Por këto para asnjëherë nuk janë paguar pasi nuk kanë qenë të qartësuara në kontratën mes Valës dhe Z-Mobile, që nisi zbatimin në vitin 2009.

Më shumë se 62 milionë euro që Telekomi i Kosovës i ka kërkuar nga arka e shtetit për t’i paguar borxhet ndaj furnitorëve është llogaritur edhe shuma prej rreth 15 milionë eurosh që Ministria e Financave i kishte kërkuar Telekomit si dividendë për vitin 2017.