Boris Johnson paralajmëron valë të dytë të koronavirusit në Evropë

E publikuar: 28/07/2020 13:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë se ka shenja të një vale të dytë të koronavirusit në Evropë dhe e mbrojti vendimin e qeverisë për t’i vendosur në karantinë dyjavore personat që kthehen nga Spanja.

Shefi i qeverisë britanike tha se ekzekutivi ishte i detyruar të ishte i shpejtë dhe i vendosur dhe se u përket individëve që të vendosin nëse do t’i kalojnë pushimet jashtë vendit.
Deklarata e tij erdhi pasi kryeministri spanjoll e quajti të padrejtë vendimin e Britanisë për t’i ndryshuar rregullat për udhëtarët që kthehen nga Spanja, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Qeveria britanike i ka këshilluar banorët e saj që ta shmangin udhëtimin joemergjent drejt Spanjës, përfshirë disa ishuj turistikë të këtij shteti dhe e largoi këtë vend nga lista e shteteve që nuk përfshihen në karantinën e obligueshme për udhëtarët.

Ndërkohë edhe Gjermania i ka këshilluar qytetarët e vet që të mos udhëtojnë në tri rajone të Spanjës.