Borell: Lajçaku do të bëjë një punë të shkëlqyer për dialogun Kosovë- Serbi

E publikuar: 22/03/2020 17:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, njëkohësisht Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Josep Borrell, përmes një publikimi në Twitter ka thënë se Mirosllav Lajçak është diplomati i duhur për të udhëhequr dialogun Kosovë – Serbi.

“Mirosllav Lajçak është një politikan shumë i respektuar dhe një diplomat me eksperiencë që gëzon besim të plotë nga BE-ja. Jam i sigurt që ai do të bëjë një punë të shkëlqyer si i dërguar special i Bashkimit Evropian për të rifilluar dialogun Beograd – Prishtinë”, ka shkruar Borrell në Twitter.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë më parë tha se Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht e ka emëruar diplomatin sllovak Mirosllav Lajçak si të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, por një zyrtar nga BE-ja e ka mohuar këtë gjë.

Zëdhënësi i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, Peter Stano ka thënë se është i befasuar nga deklarata e pasaktë e presidentit Thaçi.

“I befasuar të shoh një deklaratë të tillë të gabuar dhe faktikisht të pasaktë, procedurat brenda BE-së janë duke vazhduar, asnjë vendim nuk është marrë, nuk është bërë asnjë emërim ose as nuk është shpallur, pasi të përfundojë procesi, ne do të njoftojmë zyrtarisht”, ka shkruar Stano në Twitter.

Kurse, presidenti Thaçi ia parashikoi dështimin Lajçakut, pa ia përmendur emrin.“BE emëroi zyrtarisht të Dërguarin Special për dialogun Kosovë-Serbi. E përgëzoj për punën e këndshme që mori. Por misioni i tij i ri është krijuar të dështojë për shkak të historisë së tij për të ndaluar Sllovakinë të njohë Kosovën dhe të votojë kundër Kosovës në UNESCO”, shkroi Thaçi në Twitter.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se e ka mirëpritur reagimin e BE-së që e ka vërtetuar se ai e ka pasur gabim kur ka thënë se sllovaku Mirosllav Lajçak është emëruar emisar për dialogun Kosovë-Serbisë.

Thaçi ka shtuar se argument i tij nuk ka pasur të bëjë me procedurat e brendshme por gabimet strategjike.

“E mirëpres që BE-ja e ka vërtetuar se jam gabim në pretendimin tim për emërimin e Lajçak. Kjo do të ishte në interesin e Kosovës dhe do të përmirësonte besueshmërinë e BE-së. Argumenti im nuk ka të bëjë me procedurat e brendshme, por gabimet strategjike. Sllovakia nuk e ka njohur Kosovën dhe votoi kundër nesh në UNESCO”, ka shkruar Thaçi në Twitter.