Bonucci rinovon me Juventusin deri në 2020

E publikuar: 27/07/2015 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tjetër rinovim në shtëpinë e Juventusit. Pas zgjatjes së marrëveshjes me portierin Gianluiggi Buffon, mbrojtësin Giorgio Chielini dhe mesfushorin Claudio Marchisio klubi bardhezi ka arritur akordin për rinovimin e kontratës edhe me Leonardo Bonuccin. Qëndërmbrojtësi italian do të hedhë mesditën e kësaj të Marte firmën mbi kontratën e re që do ta lidhë me Juventusin deri në 30 Qershor të vitit 2020. Nga marrëveshja e re 5-vjecare Bonucci do të përfitojë 3.5 milionë Euro në sezon plus bonuset, të njëjtën pagë që do të marrë edhe Claudio Marchisio.

Ashtu sic ndodhi edhe në rastin e mesfushorit 29-vjecar rinovimi i Bonuccit do të bëhet zyrtar në ambientet e Juventus Stadium këtë të Martë ku në prani të mbrojtësit do të jetë presidenti Andrea Agnelli, pas firmës mbi kontratë Bonucci sëbashku me numrin 1 të klubit Juventusit do të dalin në një konferencë për shtyp. 28-vjecari i përfaqësueses italiane është transferuar te Juventusi në vitin 2010. Kartoni i tij i ka kushtuar bardhezinjëve 15.5 milionë Euro. Në 5 vite karrierë me klubin piemontez Leonardo Bonucci ka zhvilluar në total 225 ndeshje duke shënuar dhe 13 gola. 7 janë trofetë e fituar nga lojtari i dalë nga akademia e Interit me fanellën bardhezi mes tyre 4 tituj kampion të Serisë A, 1 Kupë Italie dhe 2 Superkupa Italie./ss/