Bonucci: Nuk e kam dorëzuar shiritin e kapitenit

E publikuar: 24/10/2017 09:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

“Një nga mbrojtësit qendrorë më imponues dhe teknikisht ndër më të mirët në botë. Aftësitë e tij udhëheqëse e ndihmuan Juventusin të fitonte titullin e gjashtë radhazi në Serinë A”.

Ishte kjo “bileta” e Leonardo Bonuccit në mbrëmjen gala të FIFA-s. Fundjavën që lamë pas në fakt, mbrojtësi italian u ndëshkua me karton të kuq për goditje me bërryl të kundërshtarit, e më pas u pezullua dy ndeshje për atë veprim të cilin këmbëngul se e ka bërë në mënyrë të pavullnetshme.

“Gjesti im ishte i pavullnetshëm, po kërkoja thjesht të çlirohesha nga krahu i Rosit. Më vjen shumë keq që e lëndova, e pyeta menjëherë se si ndihej. I kam rishikuar disa herë pamjet e përsëritura dhe e theksoj se nuk ka qenë ndërhyrje e vullnetshme. Më vjen keq që ndodhi kështu, por gjithsesi i kam kërkuar falje Milanit dhe shokëve të skuadrës.

Bonucci jep një mesazh të drejtpërdrejtë për të gjithë ata që mendojnë se nuk është njeriu i duhur për të marrë përgjegjësitë si kapiteni kuqezi.

“Nuk e kam dorëzuar kurrë shiritin e kapitenit, këtë përgjegjësi e kam marrë që në fillim të sezonit dhe e kam për nder. Kurrë nuk jam penduar që kam zgjedhur Milanin”, ka thënë Bonucci. /SS/