Bonaventura i jep fitoren Milanit ndaj Pescarës

E publikuar: 30/10/2016 17:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Milan nuk fal në shtëpi. Kuqezinjtë arritën fitoren e pestë në 6 ndeshje shtëpiake pasi mundi 1-0 Pescaran, që rigjeti pas një mungese Rei Manaj, i cili hyri në fushë si zëvendësues në minutën e 77-të ndërsa Memushaj ishte titullar. Gjithsesi sa i përket sfidës ajo u dominua nga kuqezinjtë që në ndryshim nga transferta me Genoan të vetmen aventurë e patën te emri i golshënuesit, Bonaventura, që me finalizimin e tij në të 49-tën i dha tre pikët formacionit të Montellës. Për Pescarën rrezikoi të barazonte sfidën Memushaj në minutën e 62-të, por Donnaruma reagoi mirë. Ndërkohë që futbollisti i kombëtares u detyrua të luajë dhe me një fasho si pasojë e një dëmtimi, që gjithsesi nuk është serioz. Pas kësaj fitoreje, Milani u ngjit në kuotën e 22 pikëve ndërsa Pescara vazhdon të qëndrojë në vendet e fundit të renditjes.

Roma pa Juventusin të shkëputej në 4 pikë në krye pasi u frenua në transfertën e Empolit pas një barazimi pa gola, ku rastin më të mirë e pati madje formacioni vendas në minutën e 80-të me Maccaronen. Gjithsesi një barazim me vlera për ekipin toskan që i afrohet disi zonës së shpëtimit. Atalanta mori fitorene 3-të radhazi pasi mundi 3-0 në shtëpi Genoan në një ndeshje ku e dominoi por ku sërish Berisha spikati me pritjet e tij, si ajo e minutës së 78-të kur nuk lejoi shkurtimin e rezultatit. Kurtic ishte heroi i vendasve që realizoi një dy golësh që në pjesën e parë ndërsa në fundin e sfidës ishte Gomez që vulosi rezultatin përfundimtar me bergamaskët që ngjiten tashmë në kuotën e 19-të pikëve.