Bomba e SHBA në Afganistan nuk kishte synim vetëm ISIS

E publikuar: 17/04/2017 08:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

SHBA e sulmuan Shtetin Islamik në Afganistan me një bombë gjigande. Të paktën 36 luftëtarë islamikë u vranë. Por bomba nuk kishte synim vetëm IS.
Nga Deutsche Welle

Zëdhënësi i Guvernatorit të distriktit Achin, në Lindje të Afganistanit, Ataullah Khogianai i deklaroi Deutsche Welle-s: “Vendet ku fshihej IS janë shkatërruar plotësisht. Viktima civile nuk ka, sepse banorët kanë marrë arratinë nga Shteti Islamik.”

“Nëna e të gjitha bombave” siç përkthehet MOAB, shkurtimi i bombës “GBU-43/ Massive Ordnance Air Blast” është e përshtatshme veçanërisht për të arritur objektiva, që nuk mund të arrihen me bomba të tjera konvencionale, thotë Bill Roggio nga “Foundation for Defence of Democracies”. Lënda shpërthyese mbi 8400 kilogramshme thith oksigjenin e zonës ku godet dhe i vë flakën ajrit.

Përpjekje për shpjegim

Që administrata e Trumpit e përdor për herë të parë këtë armë, dhe po e përdor kundër Shtetit Islamik në Afganistan, ngre pyetjen: A rrezikohen interesat e SHBA në Afganistan në një masë të tillë sa të justifikohet përdorimi i MOAB? Dhe: a ka qenë synimi i Uashingtonit që me një bombë gati 15 milionë dollarëshe (14,1 milionë euro) të vrasë vetëm 36 luftëtarë të IS?

Ish-gjenerali i ushtrisë afgane Attiqullah Amarkhail i tha DW: “Unë e njoh mirë rajonin e bombarduar dhe nuk besoj që ushtrisë amerikane t’i duhet një bombë e tillë e madhe për të vrarë një numër kaq të vogël luftëtarësh të IS.” Një bombë 11 tonëshe për 36 kundërshtarë është joproporcionale, kur me të nuk lidhet një objektiv tjetër, tha Amarkhail.

Sipas të dhënave të SHBA, në Afganistan ndodhen nga 600 deri 800 luftëtarë të IS. Në krahasim me Sirinë dhe Irakun ky është një numër i vogël. Që në vitin 2014 qeveria afgane dhe ushtria amerikane deklaruan se IS rekruton luftëtarë në Afganistan, duke shfrytëzuar boshllëkun e lënë nga dobësimi i talebanëve. Veçanërisht rajonin Achin në provincën lindore Nangarhar IS e kontrollon pjesërisht, vret atje kundërshtarë, bastis shtëpi dhe përhap frikë me anë të një radiostacioni. Në këtë kuadër nuk është për t’u çuditur që banorët ka kohë që kërkojnë të luftohet IS.

Konferencë për Afganistanin në Moskë

Ndoshta sulmi me bomba synoi të luajë edhe rolin e një paralajmërimi. Hedhja e bombës ndodhi kur në Moskë po zhvillohej një konferencë për Afganistanin. Në konferencë marrin pjesë dymbëdhjetë shtete duke përfshirë Afganistanin, Kinën, Indinë, Iranin dhe Pakistanin, por jo SHBA, e cila nuk u ftua.

Ka disa kohë që Rusia po përpiqet ta zgjerojë ndikimin e saj në Afganistan me ndihmën e Pakistanit dhe të Iranit. Hedhja e bombës mund të jetë edhe një sinjal, që reduktimi i angazhimit amerikan në Afganistan të mos kuptohet si dobësi. “SHBA prezantojnë aftësitë e tyre ushtarake përballë Rusisë dhe Kinës”, thotë i bindur ish-gjenerali Amarkhail. “Momenti i hedhjes së bombës ka rëndësi vendimtare.”